DEKLARATË PUBLIKE: Siguria dhe mbrojtja e fëmijëve nuk është zgjedhje, por detyrim për autoritetet në Shqipëri

Tiranë, 4 Maj 2026 – Organizatat e shoqërisë civile, pjesë e kësaj deklarate, shprehin dhimbjen dhe solidaritetin e tyre me familjet dhe komunitetin e prekur nga humbja tragjike e jetëve të dy fëmijëve në Durrës, të cilët po luanin përpara shtëpisë së tyre, kur u goditën për vdekje nga një makinë. Një fëmijë tjetër është ende duke luftuar për jetën në spital. Kjo ngjarje e rëndë nuk mund të konsiderohet thjesht një “aksident i radhës”. Ajo është një tronditje e thellë shoqërore që kërkon reflektim urgjent dhe veprime të menjëhershme institucionale.

Kjo tragjedi nxorri në pah pasigurinë me të cilën fëmijët tanë përballen çdo ditë në hapësirat publike. Humbja e jetëve të fëmijëve është pasojë e drejtpërdrejtë e një vargu dështimesh: mungesës së masave parandaluese, planifikimit urban të mangët, neglizhencës në zbatimin e standardeve të sigurisë publike dhe komuniteve tona jo ekzigjente që nuk reagojnë edhe kur rreziqet prekin më të pambrojturit. Qytetet tona nuk mund të konsiderohen të sigurta nëse hapësirat rekreative të fëmijëve sakrifikohen për hir të ndërtimit intensiv dhe zhvillimit të pakontrolluar. E drejta e fëmijëve për të luajtur dhe zhvilluar jetën e tyre në mjedise të mbrojtura nuk mund të mbetet dytësore.

Përtej mungesës dhe mangësive që infrastruktura për fëmijët ka në çdo Bashki të Shqipërisë, kjo ngjarje dëshmon edhe për një krizë të thellë të përgjegjshmërisë individuale. Kultura e drejtimit të mjeteve në gjendje të dehur dhe mungesa e ndëshkueshmërisë rigoroze ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit, prej kohësh i kanë shndërruar lagjet tona në zona rreziku dhe aksidentesh. Jo më larg se një muaj më parë, një fëmijë në situatë rruge humbi jetën pasi u aksidentua nga dy makina teksa lypte për bukën e gojës në rrugë.

Siguria e fëmijëve kërkon institucione të forta, që garantojnë zbatimin e rreptë të ligjit për sigurinë rrugore, të kombinuar me masat parandaluese dhe ato edukuese, duke mos lejuar që rruga të kthehet në një vend të tragjedive të paralajmëruara.

Siguria publike është një kusht i panegociueshëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kapitujt 23 dhe 24 të Acquis kërkojnë qartësisht marrjen e masave nga autoritetet publike për parandalimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e grupeve më vulnerabël. Çdo dështim në këtë drejtim është tregues për mospërmbushjen e standardeve të BE-së nga Shqipëria. Nisur nga kjo ngjarje e shumë të tjera para saj, ne i bëjmë këto rekomandime autoriteteve publike:

  • Forcimin e menjëhershëm të politikave të sigurisë publike dhe rrugore, duke vendosur mbrojtjen e jetës së fëmijëve si prioritet absolut në çdo planifikim dhe masë.
  • Monitorim 24 orësh të hapësirave publike, rrugëve dytësore dhe këndeve të lojërave, për të eliminuar çdo rrezik potencial që mund t’ju kanoset fëmijëve.
  • Zbatimin e standardeve strikte urbane, ku dhënia e lejeve të ndërtimit duhet të kushtëzohet me krijimin e hapësirave të gjelbra, rekreative dhe të sigurta për fëmijët dhe komunitetin.
  • Rritjen e kontrollit dhe ndëshkueshmërisë për drejtuesit e papërgjegjshëm të mjeteve, duke garantuar që zonat e banuara dhe rrugët pranë shkollave të jenë mjedise me rrezik zero për këmbësorët.
  • Bashkëpunim ndërinstitucional produktiv (bashki, polici, shërbime sociale, planifikim urban) për të kaluar nga reagimi pas tragjedisë drejt parandalimit aktiv të riskut.

Asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë jetën për shkak të neglizhencës, papërgjegjshmërisë apo dështimit institucional. Siguria e tyre është pasqyra më e qartë e përgjegjshmërisë sonë si shtet dhe si shoqëri demokratike.