Krahas mbështetjes së të rinjve për ndërmarrjen e nismave për ruajtjen e biodiversitetit, World Vision Albania me mbështetjen e Prespa Ohrid Nature Trust – PONT po ju vjen në ndihmë edhe bletarëve në zonën e Parkut Kombëtar të Shebenikut për të fuqizuar ekonomitë e tyre familjare pa dëmtuar biodiversitetin.
Gjatë ditës së djeshme, drejtoresha operacionale e World Vision Albania, Artina Morava së bashku me Daniela Ruçi, koordinatore e Prespa Ohrid Nature Trust – PONT, bletarë dhe përfaqësues të AdZM Elbasan, zhvilluam një vizitë në fshatin Qarrishtë në Librazhd, ku bletarët patën mundësi të bashkëbisedonin me njëri-tjetrin dhe ekspertët e mjedisit rreth praktikave pozitive për ruajtjen e biodiversitetit.
Gjatë vizitës u demonstrua edhe vendosja e një gardhi elektrik për ruajtjen e bletëve nga kafshët e egra tek një prej familjeve përfituese. Në total, 14 bletarë do të mbështeten me gardhe të tilla që janë miqësore ndaj mjedisit dhe që karikohen me energji diellore. Gardhi elektrik është dizenjuar si zgjidhje praktike dhe inovative që nuk i dëmton kafshët e egra, por i mban ato larg nga hapësirat familjare.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Përgjigjes nga Komuniteti për mbrojtjen e biodiversitetit në Parkun Korab-Koritnik dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut”, financuar nga Prespa Ohrid Nature Trust – PONT dhe që zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me Agritra Vizion në Dibër dhe “Përtej të Sotmes” në Librazhd.