“Dhuna ndaj fëmijëve, në qytetin tim, por jo vetëm ka qenë gjithmonë e pranishmme dhe njerëzit nuk dijnë ose dijnë shumë pak mbi strukturat shtetërore që duhet të na mbrojnë ne. Më parë, unë mendoja se dhunimi i një fëmije nga prindi ose mësuesi është diçka normale. Kjo ishte mënyra e vetme që ne do të na çonte drejt rrugës së mbarë.
Para disa kohësh fillova të dëgjoj për World Vision në Dibër. Vendosa të bëhesha pjesë e grupit të Mbrojtjes së Fëmijëve. Në fillim e kisha të vështirë të flisja në ambjente me shumë njerëz. Dija shumë pak mbi të drejtat dhe për sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe kjo më vinte në siklet. Me kalimin e kohës u miqësova me pjestarët e tjerë të grupit me të cilët ndaja përvojën dhe informacionet që mora gjatë aktiviteteve. Tani e kam më të lehtë. Bashkë me grupin, ne kemi informuar qindra fëmijë të tjerë për sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe rolet e strukturave. Unë sot di të ngre zërin për të drejtat e mia dhe bashkë me fëmijë të tjerë e kemi çuar atë tek insitucionet që janë përgjegjëse për të përmirësuar shërbimet ndaj nesh. Sigurisht dhuna nuk është zhdukur, por ka filluar të minimizohet pak nga pak”.
Bledi është pjesë e grupit të mbrojtjes së fëmijëve që prej 1 viti e gjysmë. Në qytetin e tij ka 4 grupe të tilla, ku marrin pjesë rreth 90 fëmijë. Ndërsa, në vend, ne punojmë aktualisht me rreth 46 grupe me rreth 1000 fëmijë. Këto grupe janë krijuar dhe mbështeten nga World Vision, që fëmijët të rrisin njohuritë mbi të drejtat e tyre, të aftësohen për të shprehur lirshëm mendimet dhe për të qenë qytetarë aktivë në vendimet që prekin jetën e tyre.