Bashkimi Evropian financon 3,1 milion Euro për Kujdesin Social në Shqipëri

Tiranë, 27 shkurt 2024 – Bashkimi Evropian paraqiti sot programin e ri “BE për Kujdesin Social”. Programi
financohet nga BE-ja dhe zbatohet nga UNICEF-i në Shqipëri dhe World Vision Albania, në partneritet me
Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky projekt me vlerë 3,1 milion Euro do të mbështesë 14 bashki të vendit për një periudhë prej 36 muajsh, me qëllim ngritjen dhe shtrirjen e shërbimeve të kujdesit social që trajtojnë nevojat dhe të drejtat e grupeve të cenueshme, si fëmijët me aftësi të kufizuara, gratë në rrezik, dhe të rinjtë në situata të vështira.
Pritet që ky projekt të ketë ndikim tek 6.000 familje në risk përmes sigurimit të shërbimeve të kujdesit shoqëror, si dhe të vërë në zbatim praktika novatore dhe të mbështesë rreth 350 profesionistë dhe punonjës të vijës së parë të kujdesit social me trajnime dhe mentorim. Të gjitha veprimtaritë dhe veprimet janë hartuar në përgjigje të kërkesave të integrimit në BE, që vendi duhet të përmbushë. Duke qenë se synon krijimin e tipologjive të reja të shërbimeve të kujdesit social, projekti do të nxisë vullnetarizmin dhe do të angazhojë të rinjtë dhe studentët.

Aktiviteti inaugurues në ambientet e Europe House mblodhi së bashku bashkitë dhe shërbimet e kujdesit social. Në të morën pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Zj. Albana Koçiu, Ambasadori i BE-së Z. Silvio Gonzato, dhe Përfaqësuesi i UNICEF-it, Z. Murat Sahin. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Gonzato tha: “BE-ja nuk ndalet vetëm te çështjet ekomomike, ajo ka në fokus gjithashtu vlerat. Teksa Shqipëria po përparon drejt anëtarësimit në BE, duhet të sigurohet që askush të mos mbetet pas, dhe për ta bërë këtë, duhet të forcojë strukturat dhe shërbimet e kujdesit social. Programi “EU4SocialCare” (BE për Kujdesin Social) do të ofrojë në 14 bashki shërbimet e kujdesit social për qytetarët më të cënueshëm vulnerabël. Bashkitë kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur në përmirësimin e cilësisë së jetesës të banorëve të tyre dhe në zbatimin e standardeve të BE-së në të gjitha fushat e politikave. Ne duam t’i ndihmojmë në përmbushjen e këtij roli edhe përmes programit të dedikuar “EU4Municipalities” (BE për Bashkitë).” Për më tepër, Zj. Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke shprehur mirënjohjen e saj theksoi: “Sfidat e lidhura me përjashtimin social apo përballimin e pasojave nga krizat dhe emergjencat nxisin nevojën për ta sjellë edhe me tepër në vëmendje Zhvillimin e Kapitalit Njerëzor dhe Axhendën e Mbrojtjes Sociale, si prioritet ne fushën e investimeve të BE.”

Në përfundim, Z. Murat Sahin, Përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, theksoi: “Shqipëria është në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Roli i qeverisjes vendore është thelbësor në sigurimin e përparimit gjithëpërfshirës, dhe për investimin në kapital njerëzor, me qëllim që askush të mos lihet pas. Çdo fëmijë dhe familje duhet të jetë pjesë e zhvillimit të bazuar në vlera të vendit, që siguron mirëqenien e qytetarëve të vet. Ju falënderoj që e keni pranuar sfidën.”


Rreth Bashkimit Evropian në Shqipëri
Bashkimi Evropian është partneri më i fuqishëm zhvillimor i Shqipërisë, duke siguruar më shumë se 100 milion Euro asistencë në formë granti çdo vit, për të mbështetur popullin shqiptar dhe ndihmuar Shqipërinë të miratojë dhe zbatojë reformat politike, institucionale, shoqërore dhe ekonomike kyçe për përmbushjen e vlerave të BE-së dhe përafrimin progresiv me rregullat e Bashkimit. Për më shumë informacion për projektet e financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe bashkëpunimin BE-Shqipëri, vizitoni https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania_en  

Rreth UNICEF-it
UNICEF punon në disa prej vendeve më të vështira në botë, për të mbërritur te fëmijët më të disavantazhuar. Ne punojmë në 190 vende dhe territore, për çdo fëmijë, kudo që ai ndodhet, që të ndërtojmë një botë më të mirë për të gjithë. Për më shumë informacion, ju lutemi të vizitoni: UNICEF Shqipëri

Rreth World Vision
World Vision është një organizatë humanitare dhe zhvillimore, që punon në më shumë se 90 vende anembanë globit, si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Nëpërmjet mbështetjes sonë, ne synojmë të sjellim ndihmë dhe shpresë për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetet më në nevojë. Për të mësuar më shumë, ju lutemi vizitoni: https://worldvision.al/