Babi, pa ty është e vështirë!

ORESTI

Oresti është 12 vjeç. Ai shkon në klasë të shtatë. Familja e tij ka migruar para 13 vitesh nga Dibra në zonën e Kënetës, në Durrës. Teksa rritej, të atin e ka parë shumë pak. Për të siguruar një jetë më të mirë për familjen ai ka qenë gjatë gjithë kohës në emigracion. Ai u kthye vetëm vitin e fundit.

Mësuesja e Orestit tregon se ai është një djalë me sjellje problematike në shkollë. Grindet me shokët dhe është i pavëmendshëm dhe i papërqendruar. Edhe me mësime nuk shkon shumë mirë.

Oresti i le shpesh orët e mësimit për të shkuar në internet kafe. Gjithashtu edhe pas mësimit, dëri në orën 8 të darkës ai rri në internet kafe me shokët. Kjo sigurisht ndikon që ai të mos ketë rezultate të mira në shkollë.

Megjithatë, mësuesja e tij kujdestare na tregon që Oresti është djalë i zgjuar. Sjellja problematike sipas saj lidhet me karakterin e tij dhe me mungesën e figurës prindërore, sidomos të të atit që ka qenë në emigrim. Tani që ai është kthyer dhe interesohet për sjelljen e të birit në shkollë, sjellja e Orestit është përmirësuar shumë.

Si ai, edhe 19 % e fëmijëve në Shqipëri kanë vështirësi të përballen me ndryshimet.