Artizanet duararta që ruajnë traditën dhe ndërthurin modernen

Xhubleta, xhamadanë, qilima e shalle të qendisura me mjeshtëri. Çanta të thurura, punime me rruaza, vathë me lule natyrale, lodra për fëmijë të punuara me grep, punime druri e qeramikë. Dhe pak më tutje, mjaltë bio, verë, çaj mali, livando e sapunë natyralë.

Të gjitha i bashkonte diçka: ishin bërë me dorë dhe me shumë dashuri. Disa gra i kishin qëndruar besnike modeleve të vjetra, deri në detajin e fundit. Të tjera, kryesisht vajzat e reja, duke u frymëzuar prej traditës, krijonin modele me “prekje” moderne. Çdo punim kishte një histori dhe orë të gjata përkushtimi.

Kjo ishte atmosfera për dy ditë në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë, ku rreth 40 artizanë dhe prodhues lokalë nga zonat ndërkufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi prezantuan punën e tyre, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve, turistëve dhe institucioneve vendore.

Pas shumë prej punimeve qëndrojnë gra që e kanë mësuar zanatin nga nënat dhe gjyshet dhe sot e mbajnë gjallë me duart e tyre.

“Ishte një ndjesi e veçantë të shihja punën time krah punimeve të grave nga Mali i Zi. Kemi shumë gjëra të përbashkëta, nga motivet te mënyra se si e duam zanatin. Nuk flisnim të njëjtën gjuhë, por na bashkonte gjuha e artizanatit,” tregon Maria,artizane nga Lezha, që krahas punimeve të saj solli edhe modele të vjetra, të punuara me mjeshtëri 70-100 vite më parë.

Tradita u pa edhe në formën e saj bashkëkohore, te stenda e Amandës nga Tuzi, stiliste dhe themeluese e brendit brez.official. Ajo e ka kthyer xhubletën, veshjen e vjetër malësore, në një pallto moderne që mban motivet tradicionale, por mund të veshet çdo ditë, në qytet. Te Amanda, zanati nuk I përket të kaluarës, por bëhet modë që jeton edhe sot.

“Po ndërthur tradicionalen me modernen, sepse dua që xhubleta të mos mbetet vetëm në vitrinë, por të veshet sot, nga gratë e reja,” tregon Amanda.

Për shumë prej grave, ky ishte më shumë se një panair: një hapësirë për t’u njohur, për të ndarë përvoja dhe për të krijuar kontakte që mund të kthehen në bashkëpunime.

Nga trajnimet te panairi

Rruga e dhjetëra grave drejt këtij panairi nisi shumë më herët, me trajnime, vizita dhe ushtrime praktike të realizuara në kuadër të projektit “Nxitja e Punësimit të Denjë për të Rinjtë dhe Personat e Papunë në Zonën Ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian përmes Programit IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri dhe zbatohet nga World Vision Albania, në partneritet me Agjencinë e Punësimit të Malit të Zi dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Artizanët nga të dy vendet zhvilluan aftësitë në teknikat tradicionale, dizajn, përzgjedhjen e materialeve dhe cilësinë e produkteve, duke bashkuar mjeshtërinë e trashëguar me ide të reja.

“Trajnimet na ndihmuan t’i shohim produktet tona me një sy të ri. Mësuam si ta ruajmë teknikën e vjetër dhe, njëkohësisht, ta bëjmë produktin më tërheqës për klientin. Është pak si t’i japësh jetë të dytë diçkaje që e do shumë,” na tregon një tjetër artizane.

Më shumë mundësi për punësim

Qëllimi i projektit është krijimi i mundësive për punësim, vetëpunësim, krijimin e bizneseve të vogla dhe ndërlidhjen me tregun e punës, veçanërisht për grate në zonat rurale. Për shumë prej tyre, zanati që e kanë mbajtur gjallë në shtëpi, shpesh në heshtje, po bëhet një rrugë drejt fuqizimit ekonomik.

Kur panairi u mbyll, stendat u mblodhën, por kontaktet e reja mbetën. Hapi i radhës është që zejet tradicionale dhe produktet autentike vendore të kthehen në porosi, bashkëpunime dhe punë të qëndrueshme, për gratë që kanë treguar se tradita mund të jetë edhe e ardhme më e qendrueshme.