Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë bashkëbisedim me të rinjtë e World Vision Albania

Ambasadorja e Francës, Catherine Suard dhe ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner kanë zhvilluar një takim me të rinjtë e grupeve IMPACT të World Vision Albania, ku kanë folur për fuqizimin e të rinjve dhe thelbin e pajtimit Francë-Gjermani, me rastin e përvjetorit të Traktatit të Elysee-së dhe Aachen-it.

Takimi në zyrat e World Vision Albania u mbajt në një format miqësor, ku për rreth 100 minuta diplomatët dhe të rinjtë bashkëbiseduan me njëri-tjetrin.

Ndërsa folën për traktatet e pajtimit mes Gjermanisë dhe Francës, ambasadorët nënvizuan se ruajtja e paqes kërkon përqëndrim në atë që na bashkon dhe jo në atë që na ndan, ndërsa theksuan se rinia ka qenë atëherë dhe është edhe sot çelësi për krijimin e një mendësie bashkëpunimi.

Nga ana tjetër, të rinjtë e grupeve IMPACT të World Vision Albania, i njohën dy diplomatët me nismat e ndërmarra prej tyre në komunitetet ku ata jetojnë, ndërsa nënvizuan se mbështejta e të rinjve dhe krijimi i mundësive për pjesëmarrje dhe aktivizëm, janë thelbësore për të sjellë ndryshime pozivite në shoqëri.

Gjatë bashkëbisedimit me ambasadorët, të rinjtë u ndalën në mënyrë të veçantë tek nismat që kanë ndërmarrë në mbrojtje të mjedisit, në promovimin e gjithëpërfshirjes dhe barazisë gjinore, në luftën kundër bullizmit, apo edhe nismat për sigurinë online dhe përdorimin pozitiv të teknologjisë.