Altini, 3 vjeç

Altini e takojmë në oborrin e shtëpisë, në muajin shkurt ai bën 3 vjeç… Ka një buzëqeshje të ëmbël dhe kur qesh sytë e tij të mëdhenj i ndriçojnë gjithë fytyrën. Ai jeton në një shtëpi një katëshe, në një fshat të Librazhdit. Oborri i shtëpisë është dhe këndi i tij i lojrave, këndi i tij i eksplorimeve … Shtëpia ku ai jeton është e varfër, e ndriçuar pak, por që nëna tij Manushaqja është përpjekuar ta shtrojë me qilima, që të jetë sa më e sigurtë për të birin. Kjo sepse Altini, vuan nga paraliza celebrale në njërën anë të trupit. Këmba dhe dora e majtë e trupi të tij të vogël, nuk lëvizin pothuajse fare.

Ai është fëmija i parë në familje dhe gjatë shtatzënisë prindërit e tij e kanë pritur me shumë padurim. “Mezi e prisnim! Kur isha 9-muajshe shtatzënë, kam patur tension të lartë dhe gjithashtu albuminë të lartë. Por pasi lindi djali, mjekët nuk na thanë asgjë…”- rrëfen Manushaqja, nëna e Altinit. Gjatë rritjes ajo vuri re që djali, dorën e majtë e mbante të kthyer nga përbrenda dhe të mbyllur. Por dhe kësaj rradhë mjekët i thonin, që nuk ka asgjë, do kalojë… Kaloi 1 vit dhe Altini u rrit, erdhi periudha që prindërit e mbanin nga duart për t’i mësuar refleksin e qëndrimit në këmbë dhe për të ecur. Por këmba e majtë e Altinit nuk përgjigjej…. Me këshillën e një mjeku në Elbasan, familja e vizitoi vogëlushin në Tiranë. Aty mësuan se gjatë lindjes, Altini kishte patur një dëmtim…

“Mendoja që nuk do të mund të ecte, nuk do të mund të përdorte dorën, nuk do të jetë i aftë të përballojë jetën e tij”- rrëfen ende mes lotëve Manushqja, kur kujton momentet kur ka mësuar lajmin për të birin. Koha kaloi, Altini filloi të, ecë, por këmbën e majtë e tërheq zvarrë, nuk ka siguri në të, rrëzohet shpesh… Dorën e majtë nuk e përdor mirë, nuk arrin të kapë dhe të mbajë diçka me të…

“Ne jetojmë larg, që të shkojmë në Librazhd duhet të ngrihemi shumë herët në mëngjes, të dalim në rrugën kryesore, të presim aty për makinat e rastit për të vajtur në qytet. Më pas. sërish duhet të presim që të gjejmë ndonjë makinë, e cila të na lërë në rrugë dhe  në këmbë me djalin në krah, të kthehemi në shtëpi…”- tregon Manushaqja, duke shtuar se ajo dhe bashkëshorti, duhet të punojnë tokën, të mbjellin misër dhe fasule nëse duan të kenë diçka për të ngrënë në shtëpi.

Prej Majit të 2018, Altini ka filluar të kryejë fizioterapi në shtëpi me ekipin lëvizës të specializuar “Tungjatjeta” nga World Vision. Përmirësimet e vogla kanë filluar të duken… Ai filluar ka të kapë dhe të mbajë, edhe pse për pak kohë, objekte me dorën e majtë. Kjo është diçka që jo vetëm i mbush shpirtin nënës së tij, por edhe Altinin e gëzon… Sa herë bën terapi me Dorelën, fizioterapisten e tij, ai lëshon disa “thirrje” të vogla lumturie, që tregojnë gëzim.

“Ditën e përcaktuar që do të vijnë për terapi, ai është i gëzuar, më pyet që në mëngjes për vajzat.”- na thotë Manushaqja. Terapia po e ndihmon Altinin, jo vetëm për të patur përmirësime në aspektin fizik, por edhe në të folur.

“Për ne si prindër është lumturia më e madhe, kur shikojmë përmirësime. Na mbushet shpirti kur shohim se tashmë falë fizioterapisë ai arrin të kryejë gjëra të vogla, por që më parë i kishte të pamundura”- na thotë Manushqja, e cila ëndërron që këtë Shtator, Altini të shkojë në kopësht. Për Altinin është shumë e rëndësishme që të vijojë fizioterapinë, që të ecë, të vrapojë, të shkojë në kopësht dhe të luajë si të gjithë fëmijët e tjerë. Përkrahe edhe ti programin social Tungjatjeta nga World Vision, për një fëmijëri me dinjitet.

Si mund të dhuroni:

Raiffeisen Bank

Numër llogarie: 00 3088 0359

IBAN: AL60 2021 1013 0000 0000 3088 0359

SWIFT: SGSBALTX

Kartë Debiti / Krediti: http://www.tungjatjeta.al/#dhuro