Aktori Nikola Shreli viziton për herë të parë fëmijën që sponsorizon

5_36

“Ti ke një vend të veçantë në zemrën time”, – i tha Nikola Shreli Aurelit, 9 vjeç, nga zona e Bathores në Tiranë, të cilin e sponsorizon prej me shumë se 3 vjetësh.  Nikola është një aktor hollivudian dhe skenarist nga Detroit, Michigan, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Ai është djalë i dy emigrantëve shqiptarë. Kjo ishte hera e parë që ata u takuan. Edhe pse tepër i zënë, Nikola është përpjekur më shumë se 2 herë që të takonte Aurelin. Kur u takuan për herë të parë, Niku s’mund të ndalonte së përqafuari Aurelin. E përshëndeti bashkë me familjen në shqip, gjuhë të cilën Niku e kupton dhe e flet mirë.

Ai kaloi më shumë se 2 orë me Aurelin dhe familjen e tij.  Një gëzim i veçanë mbushi zemrat e të dyve. “Më duket si ëndërr. E njihja Aurelin vetëm nga fotot, por tani që e takova, mendoj vërtet që është një djalë shumë i bukur. Ai është i zgjuar dhe i ndjeshëm. Nga sytë e tij e kuptoj që është një fëmijë vërtet i veçantë,” thotë ai.

Të njëjtën ndjesi patën edhe Aureli me familjen. Ata mezi prisnin të takonin Nikun. “Kur ra telefoni dhe foli dikush nga  World Vision, dyshova se diçka po ndodhte. Dyshimi im ishte i drejtë”,- thotë Shqipja, mami i Aurelit. “Ata më thanë që ti do të vije në Shqipëri. Sapo i tregova djalit dhe dy vajzave të mia, Artemisës e Alketës, ata ndaluan së ngrëni nga emocionet. Nuk vunë gjumë në sy nga mendimi se të nesërmen do të të takonin”,- i tregon ajo Nikolës.

Niku bashkëpunon me World Vision që në vitin 2007. Fillimisht duke sponsorizuar një djalë nga Vlora, Luçianon, por ai emigroi në Greqi me famijen dhe ata i shkëputën marrëdhëniet. Por kjo nuk e ndaloi Nikun që të mbështesë fëmijët shqiptarë dhe t’i ndihmojë ata për të pasur një jetë më të mirë.  Kur e pyet përse zgjodhi Aurelin, ai përgjigjet: “Nuk ka gjë më të vlefshme se fëmijët. Doja të bëja dicka që të ndihmoja një fëmijë shqiptar dhe kështu lexova për gjendjen e fëmijëve në Shqipëri dhe bamirësitë që mund të bëhen aty. Pasi Luçiano iku, me shtysë të World Vision pashë në faqen e internetit disa foto të fëmijëve të tjerë dhe aty pashë një tjetër djalë të bukur. Ai i ngjante shumë babait tim kur ka qënë i ri. Kështu që vendosa menjëherë ta sponsorizojë, – tregon Niku duke parë nga Aureli me sytë plot gëzim. -Të bën të ndihesh mirë dhe do doja të bëja më shumë për të”.  

Niku është i martuar dhe babai i dy fëmijëve të vegjël. Ai ka një zemër të madhe për të ndihmuar fëmijët që të kenë një jetë më të sigurt. Ai beson fort se ndryshimi e mira fillojnë me fëmijët. “Nesë ndihmon një, pesë apo pesëmbëdhjetë fëmijë, qyteti do të jetë një vend më i mirë. Dhe këtë duhet ta bësh kur ata janë të rinj sepse nëse rriten mirë, atëherë vendi do të ecë”, – mendon ai.

Kur e pyes se cfarë vendi zë Aureli në jetën e Nikut, ai përgjigjet se mendon shumë për të. “Pyes veten cfarë është duke bërë. Ai është shumë i zgjuar dhe i rëndësishëm për mua”,- shton ai.