Në Tiranë janë hapur me dhjetëra zyra postare private. Në njërën prej tyre punon edhe Fatjoni. Ai është gjithë ditën në lëvizje dhe asnjëherë nuk e gjen në një vend të caktuar. Me aq punë sa ka, një gjë është e sigurt; njerëzit gjithmonë e më tepër po blejnë produkte online që kanë nevojë për postier që të transportohen. Por, para se të përfshihej nga World Vision Shqipëri në projektin RE-IN-VEST, Fatjoni as nuk guxonte të ëndërronte për të pasur një biznes të vetin. Fati i keq i tij, si një ish-azilkërkues në Gjermani, por i kthyer nga autoritetet vendase, në të vërtetë rezultoi të ishte fat i mirë. Si pjesë e kontigjentit të të rikthyerve, ai mund të bëhej pjesë e këtij programi ndihme të mbështetur nga GIZ dhe qeveria gjermane.
Fatjoni kujton që në Gjermani “po nuk pate ndonjë hall të madh nuk të japin azil. Qëndrova 3 muaj dhe më kthyen. Si fillim qëndrova në kamp dhe më pas në një banesë. Ika për një jetë më të mirë, por nuk doli ashtu siç e prisja. Vështirësitë ishin të shumta. Kur u ktheva në Shqipëri, nuk po e konsideroja më emigrimin si alternativë dhe u vendosa seriozisht në kërkim të punës”. Fatjoni filloi punë në një postë private, por e kuptoi që kishte aq shumë punë sa ai mund të “mos ndalte” gjithë ditën. Aty i lindi ideja të hapte gjithashtu një aktivitet të tijin në këtë fushë.
Por që të hapte një zyrë të tijën, për veç idesë e dëshirës për punë, i duhej një ndihmë. Së pari një zyrë fizike, pasi biznesi ka nevojë për një adresë dhe mjete materiale. Për fat, Fatjoni si postier i shpejtë që është, ra në gjurmët e World Vision Shqipëri të cilët kishin hapur projektin RE-IN-VEST në ndihmë të rehabilitimit të të ardhurve nga Gjermania për të ngritur një aktivitet të tyrin. Fatjoni aplikoi me idenë e tij dhe fitoi.
Ndoqi kursin disa ditor, mbi hartimin dhe zhvillimin e një biznesi, ndërsa organizata i siguroi bazën materiale, printer, laptop, rafte e dollape, me të cilat ka mobiluar zyrën e tij. Me mbështetjen e World Vision Shqipëri, tashmë ai e ka realizuar projektin e tij, ka një zyrë të mirëpajisur dhe deri në orën 5 pasdite punon tek të tjerët, por pas kësaj ore punon për veten.
“Shpërndaj pakot e dyqaneve, kryesisht të veshjeve. Për çdo pako që shpërndaj, kam komisionin prej 2 mijë lekësh të vjetra. Dëshira ime është që të zgjeroj edhe më tepër gamën e dyqaneve që shpërndaj. Është shumë pozitive për punën time që njerëzit blejnë më shumë veshje online”.
Planet e Fatjonit janë që të mos punojë më për të tjerët, por, “të tjerët” të jetë biznesi i tij. Ai e thotë me bindje se me këtë punë që ka filluar nuk e mendon të largohet nga Shqipëria.
“Nuk kam kohë të mendoj për Gjermaninë. Ka pako pafund, dhe dikush duhet t’i dërgojë ato në adresat e duhura!”
Projekti “Riintegrimi i të kthyerve nga emigracioni dhe investimi për ta në Shqipëri” financohet nga Qeveria Gjermane (BMZ), mbështetet nga GIZ Albania, dhe zbatohet nga World Vision Albania dhe Diakonia Agapes.