Në nëntor të vitit 2016, një vajzë 17-vjeçare nga Vlora e cila abortoi në muajin e 6-të të shtatzënisë dhe akuzoi babanë për përdhunim, u bë pjesë e titujve të medias shqiptare falë historisë së saj tronditëse. Mirëpo, së fundmi mësohet se vajza e ka ndryshuar dëshminë e saj, duke tërhequr akuzat ndaj të atit. Sipas dëshmisë së saj të re, autori i përdhunimit është një fqinj i moshuar. Sipas saj, ai e kishte kërcënuar se do ta vriste dhe ajo nga frika, kishte akuzuar të atin.
“Po shkoja me vëllanë e vogël në shkollë, por ai më doli në rrugë dhe më tha hajde me mua. Jo, i thashë, por më kërcënoi. Më tha që të shkoja më të pasi do më vriste mua dhe familjen. Pata frikë dhe shkova. Kishte një puçër në ballë. Nuk ja di emrin.”- tha 17-vjeçarja.
Pas denoncimit të së bijës, 41-vjeçari ka përfunduar në burg dhe ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg”, deri në daljen e analizës së ADN-së kryer ndaj fetusit.
Vajza thotë se ndihet e penduar për denoncimin që i bëri babait të saj, dhe druhet daljes së tij nga burgu, pasi ka frikë se do ta përzërë nga shtëpia.
“Bëra gabim, denoncova babanë, por ai nuk ka faj. Tani kam frikë se kur të dalë do më vrasë, do më përzërë nga shtëpia. Kërkoj të lirohet babai dhe të arrestohet ai tjetri.”, tha ajo.
Familja Çinaj prej 5 anëtarësh jeton në kushte tejet të vështira ekonomike. Pas apeleve në ‘News24’ për ndihmë, nëna e këtyre fëmijëve u punësua si sanitare në spital, por tashmë ka përfunduar kontrata dhe ata nuk kanë asnjë të ardhur për të jetuar. Ndërkohë, ajo apelon që të ketë një strehë për të futur kokën sebashku me fëmijët pasi kushtet e vështira ekonomike ku jetojnë janë të mjerueshme ndërkohë që nuk ka asnjë lloj mundësie ekonomike për të ushqyer ata.