150 të rinj konferencë kombëtare mbi risitë dhe ndryshimin

Deklaratë për shtyp
 09-10 shtator 2015

 150 të rinj, konferencë kombëtare mbi risitë dhe ndryshimin

 Organizata ndërkombëtare World Vision: Të rinjtë më së shumti nga fshatrat dhe periferitë e qyteteve

 Durrës –  Rreth 150 të rinj nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë po marrin pjesë në një konferencë kombëtare dyditore mbi risinë, ndryshimin dhe fuqinë e krijimtarisë. Ata vijnë nga Dibra, Kurbini, Elbasani, Librazhdi, Vlora, Korça dhe Tiranë, më së shumti nga fshatrat dhe periferitë e qyteteve.

“ Në këtë konferencë mësova se edhe një 18-vjeçare mund të ketë ide, risi dhe mund t’i vejë ato në jetë, nëse këmbëngul. Dhe për këtë, nuk ka pse të jesh gjeni. Mësova se forcën e krijimit ne e kemi brenda vetes”, -tha Klea Cenga, nga Dibra.  

Konferenca zhvillohet në Durrës, nga organizata ndërkombëtare World Vision. “Eshtë hera e tetë që organizojmë këtë konferencë kombëtare për të rinjtë. Qëllimi ynë për këtë vit është që, përmes sesioneve praktike, ata të nxiten të zbulojnë forcën e madhe krijuese që ka secili brenda dhe se si mund ta lidhin këtë forcë për të sjellë ndryshim në shoqërinë ku jetojnë. Do të mësojnë si t’i vënë në jetë idetë e tyre, si të punojnë me një plan biznesi, si mund të drejtojnë njerëz, procese, ide, si mund të ndryshojnë jetën e tyre dhe të tjerëve në zonën ku banojnë”, – tha këshilltarja e programit të Rinisë në World Vision, Jurgena Hajdaraj.

Për t’ua mësuar të rinjve të gjitha këto, njerëz me përvoja të pasura pune, të cilët shquhen për vënien në jetë të ideve të reja, drejtuan sesionet e konferencës në fjalë. Dorian Kamberi, organizues i Startup Grind Tirana, Julian Balliu, drejtues I rrjetit te kafeneve “Mon Cheri”, Laura Payne, themeluese e Outdoor Albania, Jonida Beqo, drejtoreshë  e Qendrës Rinore të Tiranës dhe Klajdi Eski, designer dhe animator profesionit, po u tregojnë praktikisht të rinjve shqiptarë mbi sipërmarrjen në biznes, turizmin e Shqipërisë, poezinë si ndryshim shoqëror dhe fuqinë krijuese vetjake.

Të rinj të ndryshëm folën gjatë konferencës për të treguar si kanë marrë pjesë ose kanë udhëhequr nisma të ndryshme, të cilat kanë sjellë ndryshim në zonën ku banojnë. World Vision bashkëpunon me rreth 2 000 të rinj në Shqipëri për t’i bërë të aftë të përmirësojnë jo thjesht veten, por sidomos shoqërinë dhe vendin e tyre.

Fund

****

World Vision është një nga organizatat më të mëdha humanitare, zhvilluese dhe advokuese në botë për fëmijët dhe të rinjtë. Ajo punon prej rreth 60 vitesh, në 100 vende të ndryshme. World Vision gjendet në Kosovë që prej vitit 1998 (gjatë kohës së konfliktit me Serbinë) dhe në Shqipëri që prej vitit 1999 për të punuar në edukim, mbrojtje fëmijësh, ndërtim paqeje dhe për çështjet e rinisë.  Ju mund të gjeni më shumë të dhëna duke vizituar faqen tonë zyrtare në: Internet, Facebook dhe në Twitter

Për më shumë të dhëna, ju lutem kontaktoni:

 Elda Spaho Bleta

Senior Communications Advocacy Officer

World Vision in Albania & Kosovo

Tel: + 355 68 5015224| Email:

email: bardha_prendi@wvi.org |