101 arsye për të mos u larguar!

novis2

Kur Novis lindi, i madhi i fëmijëve kishte emigruar në Greqi. Ata janë 7 vëllezër dhe 1 motër. Sot, ai është 18 vjeç, aq sa ishte i vëllai kur emigroi, ndërkohë që ai vetë ende nuk kishte ardhur në jetë. Vit pas viti, i pa të gjithë më të rriturit të largoheshin duke kërkuar të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë, krejtësisht ndryshe nga e ardhmja që ai vetë po kërkon këtu në viset e tij.

Unë kam lindur pak më vonë dhe e kam parë Shqipërinë të ndryshojë. Sapo kam mbaruar gjimnazin dhe nëse të tjerët thonë se kanë 100 arsye për të ikur nga Shqipëria, unë kam 101 për të qendruar. Unë dua që në vendin tim të ketë rini si puna ime se Shqipëria bëhet me shqiptarë. Këtij vendi Zoti i ka fal gjithçka. Duhet vetëm pak më shumë përkushtim. Në çdo vend ka filluar të vështirësohet punësimi e gjithmonë qendron diferenca mes të huajit dhe vendasit…” – vazhdon Novis argumentet, për të na dëshmuar vërtetësinë e 101 arsyeve të tij.

Motra e tij ka studiuar jashtë, është kthyer e aktualisht punon në një institucion shtetëror, por sipas tij edhe ajo ka dëshirën e madhe që në një të ardhme të afërt të largohet sërish.

Ne jemi 10 persona në familje. Unë jam më i vogli, motra është e parafundit.  Kur vëllai i madh ishte larguar nga vendi, Shqipëria ishte në tranzicion. Vetëm me të ardhurat e prindërve ishte e vështirë, kështu që familja kishte nevojë për pak ndihmesë. Duke qenë se nuk kishte mundësi të ndiqte shkollën e lartë u largua në Greqi e u stabilizua me punë. Vëllai i dytë ka pasur dëshirë të ndiqte studimet e larta dhe vëllai më i madh e ndihmoi financiarisht. Vëllai i dytë tjetrin e kështu me radhë. Ka qenë tjetër situatë atëherë, ka pasur rrëmuja, por nga ana tjetër i ka shtyrë edhe dëshira për të njohur kultura të tjera e për të pasur një jetë më të mire, ndonëse rrugën mund ta kenë pasur edhe më të vështirë se mund ta kishin këtu ” – tregon djaloshi duke shtuar se ata nuk kanë asnjë foto ku të jetë e gjithë familja.

Herë pas here më të rriturit i kanë thënë se jashtë ai mund të ketë më shumë mundësi, por nga ana tjetër mirëkuptojnë dëshirën e tij. Ndërkohë që është në pritje të fillimit të universitetit, merret me pasionin e tij të madh, muzikën. Është DJ dhe ka filluar herët të mësojë autodidakt se si funksionon kjo “botë” që e tërhiqte aq shumë sa i rrëmbente edhe paksa nga koha që mund të kalonte me miqtë e tij. Madje siç thotë ai e ka edhe një burim finance motivues.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 29.9 % e të rinjve të moshës 15-29 vjeç në vendin tonë janë të papunë dhe 70% e tyre duan të emigrojnë.  Një pjesë e të rinjve vijojnë të përballen me dëshirën për punë dhe pamundësinë e punësimit; emigrimit apo të ardhmes në Shqipëri, varfërisë, dhunës në familje, por edhe të punës së fëmijëve.  Sipas studimit të kryer nga World Vision ku janë pyetur  3752 fëmijë të grupmoshës  8 -12 vjeç (në  Dibër, Shkodër, Lezhë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan, Librazhd,Korçë, Vlorë) rezulton se 28.2% e tyre raportojnë se punojnë për të siguruar të ardhura në familje dhe 70% e fëmijëve në Shqipëri janë të ekspozuar ndaj një lloj forme e dhunës.

Novis është nga fshati Barbullojë. Me bashkëmoshatarë të tjerë është bërë pjesë e nismave të shumta si p.sh: parandalimi i fenomenit të punësimit të fëmijëve apo edhe ngritja e fondeve për operacionin në zemër të një bashkëmoshatari.