Përgatitja e çokollatave artizanale me amballazhim të personalizuar, gatime tradicionale, punime artizanale, ëmbëlsira të freskëta në zonën e Gucisë, apo një mini-bar që ofron pije freskuese dhe fruta ishin disa prej 14 projekt-ideve në fushën e turizmit të prezantuara nga të rinj e të reja shkodranë në një aktivitet mes miqsh, përfaqësuesish të Bashkisë Shkodër, mësues dhe përfaqësues nga organizata lokale në mjediset e shkollës “Hamdi Bushati” në Shkodër.
“Jam shumë e emocionuar kur mendoj që në të ardhmen do të hap një biznes dhe do të kthej pasionin tim në profesion. Ideja për të hapur një start-up me ëmbëlsira tradicionale që do i përgatis vetë, u vlerësua nga juria dhe u shpall fituese. Aktivitetet dhe bisedat me grupin më kanë nxitur të ndez shkëndijën e kësaj ëndrre ndërsa trajnimet më kanë ndihmuar ta hedh në letër këtë projekt-ide dhe ta prezantoj para jurisë që besoi tek unë,” – Ermela, 18 vjeç nga Shkodra.
8 prej projekt-ideve më të mira u përgjodhën fituese dhe do të mbështeten për të nisur një start up në fushën e turizmit, duke bërë kështu konkrete ëndrrën e këtyre të rinjve.
Ide, risi, inovacion por edhe traditë në fushën e turizmit ishin disa elementë të projekteve të prezantuara nga të rinjtë. Disa prej tyre përgatitën projekte individuale kurse të tjerë u organizuan në grupe.
Këta të rinj dhe të reja janë pjesë e 50 nxënësve të shkollës “Hamdi Bushati” të angazhuar në projektin “Rrugët e Zhvillimit të karrierës, përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit”. Më herët ata janë trajnuar mbi gjenerimin e ideve dhe mënyrën se si të shkruajnë një projekt biznesi konkurues në fushën e turizmit.
Propozimet u paraqitën përpara një komisioni të përbërë nga përfaqësues të Bashkisë Shkodër, përfaqësues nga zyra e punës, përfaqësues nga biznesi por edhe ish nxënës dhe drejtues të shkollës. Një ndër kriteret vlerësuese të komisionit ishte mundësia për ta bërë realitet projekt-idenë.
“Këtë eksperiencë e shoh si përgatitje për sipërmarrjen time. Duke nisur me gjëra të vogla, me kalimin e kohës kam besimin që do të arrij tek të medhatë. Në trajnimet ku kam qenë pjesë kam marrë formimin dhe përvojën e duhur rreth start up-ve,” - Juledi, 18 vjeç, Shkodër.
Këto projekt-ide synojnë t’iu mundësojnë të rinjve gjenerinim e të ardhurave nëpërmjet shitjes së produkteve të realizuara prej tyre ose nëpërmjet hapjes së një startup-i. 8 projekt-idetë e shpallura fituese do të mbështeten financiarisht nga projekti duke siguruar materialet e nevojshme për t’i ndihmuar të rinjtë në realizimin e minibiznesit të tyre.
“Mbështetja e të rinjve për hapjen e një biznesi, është padyshim shumë pozitive. Rinia është e ardhmja, dhe me nisjen e një sipërmarrje të tillë, secili prej tyre, e sheh të ardhmen në vendin e tij, - Valdo Dibra, përfaqësues biznesi dhe anëtar jurie.
“Rrugët e Zhvillimit të karrierës, përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit” është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Mirëqenies Sociale (CFCU) e Malit të Zi dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me organizatën Horizonti i Ri, Institucioni Publik Shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin dhe shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër.