Na jepni një dorë 

You are here

  • 14-04-22 |

Na jepni një dorë 

Kesjana është një nga të rinjtë e grupeve IMPACT në Dibër, e cila së fundmi është angazhuar edhe në blogun REPORTERI për të ngritur zërin për disa nga çështjet që duan të adresojnë fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë në komunitetin e saj. 

Në shkrimin e saj të parë, 16-vjeçarja që synon të bëhet mjeke trajton disa nga problematikat kryesore që sipas saj shqetësojnë të rinjtë në Dibër: mungesa e aktiviteteve kulturore, artistike e sportive; mungesa e kurseve profesionale për të zhvilluar talentet, si dhe mungesa e meritokracisë dhe mundësive për punësimin e tyre.  

Sipas Kesjanës këto janë edhe disa nga arsyet që ulin motivimin tek të rinjtë dhe që i nxisin ata ta ndërtojnë jetën në kryeqytet, apo edhe jashtë Shqipërisë.   

Nga të dhënat zyrtare të INSTAT (1) për tremujorin e IV të vitit 2021, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç në Shqipëri është 20.6% dhe ky është një tjetër shqetësim që Kesjana ngre në shkrimin e saj.

Përmes një letre të hapur, adoleshentja nga Dibra iu bën thirrje institucioneve, organizatave dhe shoqërisë që të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë që të rriten profesionalisht dhe të kenë qendrueshmëri dhe pavarësi ekonomike.  

Lexoni letrën e plotë të 16-vjeçares 

Peshkopia është një qytet i bukur dhe me një natyrë që të përcjell emocione pozitive në çdo stinë të vitit. Gjatë festave të fundvitit atmosfera bëhet edhe më fantastike. Një qytet i gjallë, ku fryma rinore mbizotëron kudo. Syri të sheh prindër të lumtur me fëmijët e tyre në krah, si dhe të rinj të edukuar dhe te veshur mirë. Por kjo ndodh vetëm një herë në vit.   

Në ditët më tej, atmosfera nuk është më e njëjtë. Ajo merr një pamje tjetër, e cila në sytë e çdo personi që jeton këtu duket më e zymtë. Rrugët boshatisen.   

Si gjimnaziste në një nga shkollat e mesme të Peshkopisë, jam dëshmitare e faktit se si dita-ditës po zvogëlohet numri i djemve nëpër klasa. Dëshira më e madhe e tyre është të largohen nga vendi për të fituar nënshtetësinë e huaj.   

“Të ikim jashtë dhe të fitojmë lekë sepse në vendin tonë nuk kemi punë,” – kështu shprehen disa nga shokët dhe shoqet në klasën time. Vetëm një pjesë e vogël mendon se pas maturës do të fillojnë shkollën e lartë. Ky realitet më dhemb shumë.  

Duke parë tim atë që ora 5 e mëngjesit e gjen në fushë pranë të mbjellave dhe bagëtive duke u kujdesur për to, ndjehem keq sepse nuk e ndihmoj dot. Përpiqem shumë të mësoj dhe mendoj që duhet ta bëj krenar babain, pavarësisht pengesave që kanë të rinjtë në vendin tim.  

“Pas mësimit, punoj çdo ditë. Paguhem vetëm 120 mijë lekë të vjetra. Nuk më del koha të mësoj siç bëjnë shoqet dhe shokët e klasës sepse më duhet të punoj patjetër. Prindërit e mi janë të sëmurë dhe nuk kam rrugëzgjidhje tjetër,” – më tregoi një ditë Kledisi, shoku im i klasës, i cili punon kamerier në një nga baret e qytetit.  

Pjesa më e madhe e të rinjve të Dibrës nuk kthehen në vendlindje pasi ikin për studime. Sipas mendimit tim, ka një arsye të fortë përse ata i binden fatit që të mos kthehen. Së pari, atyre nuk u sigurohet një punë, një pozicion në profesionin që ato kanë zgjedhur. Shpesh duhet një mik i fortë për të gjetur një vend pune në administratë, pavarësisht se mund ta meritosh atë pozicion. Për të vazhduar me pagat e papërfillshme kundrejt çmimeve që po rriten dita - ditës.  

Pra, për fat të keq, idea e rikthimit për krijimin e një sipërmarrjeje apo gjetjen e një pune në vendlindje, po konsiderohet gjithnjë e më pak nga këta të rinj.  

Nga ana e institucioneve programet e “tentuara” për zhvillimin dhe promovimin e potencialeve tek të rinjtë deri tani nuk kanë qenë shumë efikase. Janë të pakta aktivitetet kulturore, letrare e sportive që ndërmerren. Kemi nevojë për më shumë qendra kursesh profesionale. Kemi nevojë për më shumë mundësi për të zhvilluar talentet tona, për të mësuar gjëra të reja apo edhe për të argëtuar. Kemi nevojë për hapësira punësimi, qoftë edhe me kohë të pjesshme. Kjo do na përgatiste profesionalisht dhe do na jepte siguri për të ardhmen. 

E nëse më e mira e mundshme do ishte që në si të rinj të kishim mundësi të angazhoheshim në shërbim të vendit tonë, detyrohemi të lëmë pas pjesëza të shpirtit për të siguruar jetën larg familjes dhe këtij vendi.  

Shpresa që një ditë jo vetëm Dibra, por e gjithë Shqipëria të lulëzojë, sipas mendimit tim janë të rinjtë. Duhet me patjetër që të rinjtë të vlerësohen dhe t’u jepet vëmendje, në mënyrë që mos të nxisim braktisjen e vendit. Na jepni më shumë mundësi ne të rinjve, që Shqipëria të jetë ndryshe nesër. Ne nuk jemi vetëm e ardhmja, por jemi e tashmja dhe e ardhmja.  

Këto janë mendimet e sinqerta të Kesjanës nga Dibra, një nga 216 të rinjtë e grupeve IMPACT në Dibër.

---

 

(1 - http://www.instat.gov.al/media/9662/atfp-t4-2021_press-release_final_far...)

 

 

 

Tungjatjeta.al

 
Soni
Shqipëri
Elvani
Librazhd
Marigleni
Shqipëri
Klajdi
Shqipëri
Ana
Shqipëri
Juliani
Librazhd
Sara
Shqipëri
Arjani
Shqipëri
Leonora
Shqipëri
Ardiani
Shqipëri
Altin
Shqipëri
Bruna
Shqipëri
Donaldi
Shqipëri
Jasmina
Shqipëri
Gabriela
Shqipëri
Irena
Shqipëri
Arta
Shqipëri
Emiljano
Shqipëri
Alesia
Shqipëri
Fjorida
Librazhd
Oligerta
Shqipëri
Selma
Shqipëri
Emanueli
Shqipëri

Twitter Feed

 

Facebook Feed

 

Na Kontaktoni

Shqipëri
  • Rruga “Vëllezërit Manastirli”, Ndërtesa nr. 4,
    P.O.Box 1725, Tirana, Albania
  • Tel: +355 4 2419601
  • Email: tirana@wvi.org

empty

Na Ndiqni