Një jetë e ndarë mes rrugës dhe shtëpisë, nëse shtëpi mund të quhet ajo me vetëm disa dërrasa, hekura, teneqe, lecka të mbledhura bashkë me shumë mund, herë të gjetura në mbeturina e herë të marra hua. Skamja e ka privuar Gertën nga shumë nevoja të jetës së përditshme. Por, ajo është vetëm një nga shumë anëtarët e komunitetit rom, që sikurse ajo, kanë njohur vetëm privim.
“Unë kam 4 fëmijë, dhe për mua dhe bashkëshkëshortin tim është shumë e vështirë për t’i rritur. Ndonjëherë, mërzitem shumë sepse s’kam bukë per t’ju dhënë. Ata janë të vegjël dhe nuk e kuptojnë që për mua dhe tim shoq është e pamundur t’jua plotësojmë të gjitha nevojat dhe dëshirat, pastaj fillojnë e qajnë dhe nuk pushojnë, unë nevrikosem shumë, aq sa shpesh edhe i kam qëlluar”. Ky është rrëfimi i Gertës nga Shkodra. 24 vjeçarja u martua kur ishte vetëm 12 vjeçe, dhe ishte ende fëmijë kur u bë mama në moshën 14 vjeçare. Ajo dhe i shoqi kanë pasur gjithmonë një jetesë të vështirë. Ai ka punuar duke mbledhur kanaëe në rrugë, dhe ndonjëherë, edhe Gerta ka bërë të njëjtën punë. Ajo s’ka shkuar kurrë në shkollë, as i shoqi. Nuk dinë shkrim e këndim. Kur ishte e vogël, Gerta, kishte shumë dëshirë të shkonte në shkollë, por prindërit e saj nuk jetuan kurrë për një kohë të gjatë në të njëjtin qytet. Ata shkonin atje ku gjenin punë. “Prindërit e mi mblidhnin kanaçe, ose çfarëdolloj gjëje që mund të shitej, dhe çastet me të lumtura për ne ishin kur mamaja mund të gjente ndonjë punë si pastruese”, – thotë Gerta.
Historia e saj është një nga të shumtat. Ka shumë “Gerta”, që e kanë “trashëguar” varfërinë dhe skamjen. Sipas të dhënave të marra nga Censusi i vitit 2012, 44.8 % e burrave dhe 58,3 % e grave të moshës 15-64 vjeç nga komuniteti rom, jane të papunë. Ky është një nga komunitetet më të margjinalizuara në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë arsye World Vision punon me ta, duke i dhënë një vëmendje të veçantë mbrojtjes së fëmijëve dhe edukimit. “Nga disa intervista që ne bëmë me disa anëtarë të komunitetit rom në lagjen Ilira në Shkodër (një zonë e njohur per shumicën e popullsisë rome), rezultoi se një nga problemet më të mëdha që ata kanë është dhuna në familje”, shprehet Denisi, punonjës i World Vision në zyrën e Shkodrës.
Për ta përmirësuar këtë situatë dhe për t’ju dhënë fëmijëve të këtij komuniteti të drejtën për të pasur mbrojtje, përkujdes dhe për të ndjerë dashuri në familjet e tyre, World Vision, në bashkëpunim me Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve, dhanë një trajnim për 20 familje rome në Shkodër. Prindërit që morën pjesë patën mundësi të mësojnë më shumë rreth prindërimit pozitiv, se si të identifikojnë nevojat e fëmijëve të tyre në faza të ndryshme të jetës, si të komunikojnë më njëri-tjetrin dhe se si ta bëjnë familjen një vend ku fëmija të ndihet i sigurt dhe i lirë për të shprehur mendimet e tij, si dhe një vend ku fëmija mund të marrë kujdesin që i nevojitet.
[Prindër dhe fëmijë nga komuniteti rom, gjatë trajnimit rreth prindërimit pozitiv]
“Ne pamë një video ku një prind godiste fëmijën e tij, dhe ai qante. Më erdhi shumë keq, mendova sa herë mund ta kem bërë unë këtë gjë me fëmijët e mi. Tani, kur nevrikosem dhe dua t’i godas, me vjen para syve ajo skenë dhe s’ma bën dora. Nuk është mirë t’i rrahësh fëmijët se mezi po i rrisim”, – thotë Gerta.
Të katër fëmijët e saj kanë përfituar nga një program pilot i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Ata dhe 11 fëmijë të tjerë nga komuniteti rom, kalojnë kohë në ambjentet e shtëpisë së fëmijës për fëmijët parashkollor, ku marrin mësime, luajnë me njëri-tjetrin, si dhe hanë 2 vakte.
Prindërit e këtyre fëmijëve ishin gjithashtu pjesë e trajnimit ku u ndanë raste të dhunës në familje dhe u fol rreth ndikimit negativ që ky fenomen ka tek fëmijet. “Unë e kuptova, nuk duhet t’i rrahim fëmijët, duhet t’i çojmë në shkollë që të bëhen të zotët e vetes”, – tha Lumturia një nga pjesëmarrëset.