“Ata më shanin, më thonin fjalë të shëmtuara. Unë shkoja në shtëpi, mbyllesha në dhomë dhe qaja. Nuk i tregoja asnjërit, as mamit. Njëherë që i tregova, ajo filloi të qante. Unë nuk doja që ajo të mërzitej!” – fillon të tregojë Lutfiu.
Kur bashkëmoshatarët e tij filluan të krijojnë miqësitë e para, ai nuk pati asnjë mik me të cilin të ndante bankën, të bënte rrugën për në shkollë apo të luante pasditeve. “Ata më ofendonin sepse unë jam ndryshe, sepse unë jam rom, por unë doja të ishim shokë”- thotë 12- vjeçari. Nuk e ka të lehtë. Lotët mezi i mban.
Ai filloi edhe të ndihej ndryshe. Ndonëse e dinte mësimin, nuk e ngrinte kurrë dorën për të folur i pari. “Unë kam qenë shumë i turpshëm, shumë i urtë dhe nuk u thoja gjë kur më ofendonin, por tani gjërat kanë ndryshuar. Unë i dhashë forcë vetes dhe nuk u dorëzova. Edhe mësuesit më ndihmuan. Një herë i tregova mësuesit që shokët më shanin. Ai na bëri një orë edukative dhe na foli se si duhet të sillemi me njëri-tjetrin. Tani kam edhe një shok të ngushtë. Mikael quhet. Kur mëzitem flas me të dhe ai më jep forcë.”- tregon Lutfiu.
Që prej janarit, ai është bërë pjesë e grupit Impact Club në qytetin e tij. Në grup janë gjithsej 21 anëtarë. Edhe mes tyre Lutfiu, ka gjetur mbështetjen për të cilën ka nevojë të ecë përpara. Ata takohen çdo javë dhe flasin për tema të ndryshme. “Kemi mësuar se sa e rëndësishme është të jemi qytetarë të mire, të ngremë zërin për shqetësimet tona, të përfshihemi në shoqëri dhe të jemi vullnetarë për të përmirësuar komunitetin ku jetojmë”- thotë ai.
Angazhimi në grup, ka bërë që Lutfiu të fitojë sërish besimin tek vetja dhe të besojë më shumë se kurrë tek ëndrrat e tij. Ai ka 3 motra, por asnjëra nuk ka vazhduar arsimin e mesëm. Lutfiu shpreson të jetë ai i pari në familje që do ta bëjë këtë. Familja e tij jeton në kushte të vështira. Babai shet këpucë të vjetra. Motrat dhe e ëma punojnë në një fabrikë këpucësh, në ditët kur ka punë, të cilat janë të pakta. Ata gjithashtu ëndërrojnë që ai të arsimohet. “Unë jam gati të shes edhe shtëpinë vetëm që ai të mbarojë shkollën e lartë”- thotë e ëma.