Kreshniku, ka lindur në Reç, fshat i Dibrës. Ishte 3 vjeç kur erdhi në Tiranë. Familja e tij u vendos në Bathore. Sot, ai është 18 vjeç dhe na rrëfen pa komplekse dhe krenari gjithçka mban mend nga ajo kohë. Fillimi ka qenë i vështirë. “Babi donte që ne të vinim në Tiranë. Në fshatin tonë, njerëzit ishin të varfër. E merrni me mend, si në fshat…”- tregon Niku, siç e thërrasin miqtë. I ati, kishte kërkuar gjithmonë për më shumë punë se sa i ofronte fshati. Ai shkonte në Greqi ilegalisht dhe punonte në ndërtim. Me paratë e mbledhura ai vinte dhe ndërtone, pak e nga pak, shtëpinë në e re, në kryeqytet. Këto sakrifica i bëri për 3 vite.
“Në fillim blemë tokën, pastaj filluam të ndërtonim shtëpinë. Kur ne erdhëm këtu, në shtëpinë ku jetojmë edhe sot, kishte vetëm mure. Dritaret, në vend të xhamave, kishin plastmas. Dyer nuk kishte. As pllaka. Ama, ajo ishte shtëpia jonë në Tiranë dhe ne ishim të lumtur!”- tregon Niku.
Që prej asaj kohe, i ati gjeti punë në Tiranë dhe nuk u kthye më në Greqi. Kishte shumë të tjerë si ata, që linin shtëpitë në fshatrat e largët dhe vinin në Tiranë, për një jetë më të mire. Ata ishin klientët e babait të Nikut.
Ai është sot 51 vjeç dhe ka punuar në ndërtim që 14 vjeç. Prandaj, nuk mundi kurrë të arsimohej. Kjo e bëri edhe më të forte dëshirën që fëmijët e tij të arsimoheshin, me çdo kusht.
Ata janë 4 femijë, 3 vajza dhe Niku, djali i vetëm. 2 nga motrat e tij kanë përfunduar arsimin e lartë dhe Niku aspiron të njëjtën gjë. Ai tregon me krenari se tani që punojnë, ato edhe ndihmojnë në ekonominë e familjes.
Edhe Niku vetë, punon gjatë verës. “Prindërit janë kundra, por unë punoj me ditë, dhe me paratë që fitoj blej gjërat që më duhen kur fillon shkolla. Ndryshe nga shokët e mi, unë ia di vlerën lekut dhe i jam shumë mirënjohës prindërve të mi për çdo sakrificë që kanë bërë për mua”– thotë ai.
Niku është një djalë me këmbë në tokë dhe qëllime të qarta. Ai ëndërron të bëhet inixhinier mekanik. Duket se është në rrugë të mbarë sepse matematika është lënda e tij e preferuar. Ndryshe nga pjesa dërrmuese e bashkëmoshatarëve të tij, ai e sheh të ardhmen e tij në Shqipëri. Me sinqeritetin që e karakterizon tregon se ka pasur edhe raste që e ka menduar se Shqipëria nuk do t’i ofrojë ndonjëherë atë që ai kërkon.
“Isha skeptik, nuk besoja se ne, të rinjtë, mund të bëjmë ndonjë ndryshim të madh.”- thotë ai. Për herë të parë, para 2 vitesh, dëgjoi nga një shoqe që organizata World Vision kishte krijuar dhe mbështeste grupe të rinjsh, të quajtur Impact Clube. “Mendimi i parë që më erdhi në mendje ishin dreka, darka dhe udhëtime jashtë Tirane dhe u bëra pjesë edhe unë”- kujton 18-vjeçari.
Ai ka rreth një vit e gjysmë që është pjesë e grupit rinor “Pa limit”. Janë 30 anëtarë dhe bashkë takohen 1 herë në javë. Gjatë kësaj kohe kanë ndërmarrë nisma të shumta. Ndër to, Niku veçon shfaqjen me mesazhe kundër përdorimit të alkoolit dhe lëndëve narkotike që dhanë në Pallatin e Kulturës në Kamëz.
Besimi tek njëri-tjetri, është çelësi i tyre i suksesit. Kështu i kanë fituar besimin edhe komunitetit. Niku tregon se kur mbaroi shfaqja, njerëzit e ndalnin në rrugë dhe e uronin për nismën.
“Kam filluar të besoj se, ne mund të sjellim ndryshim. Para disa muajsh, bëmë një takim në komunietin ku jetojmë. Erdhën 120 vetë dhe folëm rreth shqetësimeve tona. Të gjithë ishin aktivë” – tregon Niku me krenari.
Ai është i vendosur dhe beson tek vetja e bashkëmoshatarët.
“Ajo që më motivon më tepër është kur mendoj rezultatin, dhe unë shoh rezultate pozivite, me komunitete që zhvillohen”- përfundon 18- vjeçari, lindur në Dibër dhe rritur në Bathore.