Dhjetëra banorë të Torovicës, zonë e Lezhës, do të marrin më shumë para nga qumështi i fermave të tyre familjare.
World Vision u dhuroi atyre 7 depozita ruajtëse me kapacitet 350 litra secila. Për më tepër, e gjithë kjo sasi prej rreth 2500 litrash në dite, do të blihet nga një biznes vendas. Ceremonia u zhvillua dje në orën 10.00, në Kishën Katolike të Torovicës.
Për ta lehtësuar mbledhjen e qumështit, Kisha Katolike e Torovicës ka vënë në shërbim të fermerëve mjediset e saj, pra depozitat gjenden në qendër të fshatit. Përvec përfshirjes së kishës, projekti mundëson marrëveshje me biznesin “Rapsodia” i cili do të blejë çdo ditë të gjithë sasinë e qumështit që do të sjellin fermerët e zonës,
Pamundësia për të ruajtur të freskët qumështin dhe për ta shitur atë, është një nga shqetësimet e përditshme të banorëve të zonës dhe kufizon drejtpërdrejt mënyrën e tyre të jetesës.
“World Vision punon prej vitesh me qindra fëmijë në Torovicë dhe ky projekt është një nga mënyrat sesi kujdesemi për mirëqenien e të miturve. Tani familjet do të kenë mundësi të sigurojnë më shumë të ardhura dhe, rrjedhimisht, fëmijet mund të bëjnë një jetë më të mirë”, – thotë Edi Markaj, përfaqësues i organizatës.
Projekti shkon edhe më tej: “Rapsodi” do t’i paguajë Kishës Katolike të Torovicës një qera mujore prej 10 000 lekësh të reja për mbajtjen e depozitave të qumështit. Këto para do t’u kthehen sërish fëmijëve të zonës: Ato do të investohen në kopshtin për fëmijë të kishës (ku shkojnë falas 160 fëmijë të zonës) dhe për të sjellë aty qindra fëmijëve të tjerë nga fshatrat Shkëmbi i Kuq, Malecaj dhe Kolajakaj. Në mjediset e kishës mund të qëndrojnë dhe të argëtohen rreth 400 fëmijë në ditë.
World Vision dhuron, njëkohësisht me depozitat e qumështit, edhe një kënd lojërash për fëmijët e këtij kopshti.
Featured image: Fëmijë nga fshatrat e Lezhës gjatë aktiviteteve me World Vision/ Foto nga Linda Karameta