Terapi dhe argëtim për fëmijët me aftësi ndryshe

Foto00024

Në një terren fushor me ndërtime të çrregullta, në Bathore, ku popullsia është shtuar dukshëm vitet e fundit, në katin e sipërm të një ndërtese dy-katëshe gjendet një  Qendër për Shërbime e cila ofron ndihmë për fëmijët të cilët kanë probleme me zhvillimin e aftësive të tyre. 
Irena është psikologe. Një pjesë e familjes së saj është rikthyer nga emigracioni, ndërsa pjesa tjetër ka qenë në prag të emigrimit. 
Ajo është motra e një ish-azilkërkuesi në Gjermani, dhe së bashku me vëllanë gjetën një sinergji pozitive mes ideve e ambicieve të tyre dhe vizionit të World Vision Shqipëri për zhvillimin e zonës. Dhe kështu lindi kjo Qendër unike Shërbimi, në kuadër të RE-INVEST, mbështetur nga GIZ dhe qeverisë gjermane në ndihmë të të kthyerve nga emigracioni. 
Ëndrra e vëllait të Irenës si dhe e shumë të tjerëve qëmorën rrugën e emigracionit në Gjermani pa qenë të informuar për shanset e dokumentimit të tyre në atë vend, përfundoi aty ku nisi,në Shqipëri.

Rikthimi, shpesh i demoralizon akoma më shumë të rikthyerit se sa kur lënë këtë vend. Prandaj vëllai i Irenës së bashku me vetë Irenën, me eksperiencë profesionale në këtë fushë, patën idenë që të ndihmojnë këdo që ka nevojë të kapërcejë emocionalisht dramën e rikthimit. 
Ndaj Irena me të vëllanë kërkuan ndihmë tek World Vision Shqipëri për të filluar një iniciativë të tyren në zonën e Bathores ku drama e emigracionit është mjaft e ndjeshme.Të dy vendosën të prekin në plagë: një qendër e cila do të ofronte shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuar. Në këtë iniciativë Irena, si psikologe shkolle është një shtyllë kryesore e qendrës. Irena punon si psikologe në dy kopshte, ndërsa ushtron këtë profesion edhe në ambientet e qendrës së tyre, të hapur dy vite më parë. 
“Ideja për ta hapur këtë qendër ka qenë shumë e hershme tek unë. Që kur kam përfunduar studimet kam punuar më fëmijë dhe të rritur me nevoja të veçanta këtu në zonën e Bathores. 
Përpara disa kohësh, një nga vëllezërit e mi, u largua drejt Gjermanisë me shpresën se do të fitonte statusin e azilantit. Qëndroi atje për gati një vit. 
E pa me sytë e tij se sa e vështirë ishte, dhe u kthye serish këtu. Rastësisht kemi dëgjuar për projektin që po ofronte World Vision Shqipëri. Unë me vëllain menduam, 
pse mos të marrim pjesë? Ai ishte dakord por nuk kishte një ide të qartë se çfarë të bënte. Aty i erdha unë në ndihmë, pasi idenë e kisha gati. E diskutuam dhe ramë dakord, që, pse jo, ta provojmë me hapjen e një qendre në ndihmë të fëmijëve të cilët kanë nevojë për asistencë”, tregon Irena e cila sot pas dy vitesh është shumë e lumtur që kjo punë që ajo e do aq shumë po rritet çdo ditë. 
“U bëmë pjesë e projektit RE-IN-VEST dhe fituam një grant i cili na mbështeste për të hapur këtë qendër me pjesën e materiale të nevojshme që na duheshin, për 
fillimin e punës”. 
Ndihma erdhi në momenti kyç që i duhej Irenës dhe vëllait të saj. Suporti i marrë e bëri Irenën që të ishte edhe 
më e bindur për domosdoshmërinë e ngritjes së kësaj qendre. 
“Ndihma financiare ka qenë një nxitje e madhe për ne, një shenjë “nga lar t” që ky mision duhet filluar. 
Ajo shumë nuk është se të mjafton për të plotësuar të gjitha nevojat e një qendre të tillë, por është një nxitje e mirë që të vë në lëvizje. 
Gjithmonë kam menduar që, nëse do nisja diçka të tillë, do e hapja në Bathore. E dija shumë mirë se sa e nevojshme është, në një zonë si Bathorja, që të ofrohen shërbime të specializuara për fëmijët më aftësi të kufizuara. Ndërhyrja e shtetit nuk duket shumë, por ne duhet të ndihmojmë vetveten”, rrëfen Irena. 
Shërbimet që ofron qendra janë logopedia dhe terapia e zhvillimit, sikurse dhe këshillime për prindërit. 
Psikologia tregon më tej për problemet më të shpeshta që kanë fëmijët sot dhe kujdesin që duhet të kenë prindërit. 
“Problemet e fëmijëve janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga autizmi, sindroma dawn, kanë prapambetje mendore të shkallës së mesme dhe të rëndë. Ka fëmijë me vonesa gjuhësore. Kemi fëmijë me hiperaktivitet… të gjitha këto i trajtojmë në qendrën tonë”. 
Një pikë e rëndësishme e kapjes së problemet dhe trajtimit të tij është fakti që prindërit duhet ta pranojnë diagnozën e fëmijës dhe të mundohen ta trajtojnë atë. Në momentin që ata refuzojnë ta pranojnë aty ka një problem shtesë, që fillon nga prindi. 
“Ka një shtim të numrit të fëmijëve që paraqesin probleme, dhe kjo vjen prej disa faktorëve, si pjesa e gjenetikës, niveli i lartë i stresit, ushqimet që konsumojmë. Edhe televizori dhe telefoni ndikojnë shumë në mungesën të folurës tek fëmijët, pavarësisht se studime të plota të këtij fenomeni në shkallë globale akoma nuk ka.” 
Ajo që vëren si më shqetësuese Irena është se prindërit refuzojnë të pranojnë problematikën e fëmijëve, dhe kur ndërgjegjësohen mund të jetë tepër vonë. 
“Megjithatë, vitin e fundit kam parë një ndërgjegjësim më të madh dhe ky është një lajm i mirë”, tregon Irena. 
Në përgjithësi, prindërit që kanë fëmijë me nevoja të 
veçanta, në pjesën më të madhe kërkojnë të largohen jashtë, çka është e mirëkuptueshme, por tashmë dhe këtu për fëmijët e tyre mund të bëhet diçka. 
Vetë Irena, dhe pse me një profesion që mund t’i hapte dyert e punësimit në Gjermani, kur i përmendet emigracioni, buzëqesh. 
“Personalisht, nëse do të kisha dashur të largohesha e kam patur mundësinë, dhe e kam edhe sot. Por shoh që këtu ka mundësi të shumta për punësim dhe nuk ka arsye për tu larguar. E mira është që të investojmë këtu ku jemi,” mbyll rrëfimin e saj Irena.