Të rinjtë që po ndërtojnë të ardhmen evropiane të Shqipërisë

Roli që luajnë të rinjtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në forcimin e demokracisë pjesëmarrëse është thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë. Ata nuk janë thjesht përfitues të politikave publike, por aktorë që formësojnë dialogun, nxisin ndryshimin dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e komuniteteve të tyre.

Në këtë frymë, 25 të rinj nga grupet rinore Impact të World Vision Albania u mblodhën në Durrës për një bashkëbisedim të hapur me z. Miha Pezelj, Drejtues i Ekipit për Zhvillimin Socio-Ekonomik në Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Takimi, që zgjati thuajse tre orë, u kthye në një hapësirë të vërtetë reflektimi mbi:

  • rolin e të rinjve në procesin e integrimit;
  • vlerat evropiane dhe mënyrën se si ato përkthehen në veprime konkrete në komunitet;
  • mundësitë që Bashkimi Evropian ofron për brezin e ri.

Nga angazhimi lokal te vizioni evropian

Të rinjtë ndanë nisma konkrete sociale, mjedisore, digjitale dhe advokuese që po zbatojnë në komunitetet e tyre me mbështetjen e World Vision Albania, duke dëshmuar se përgatitja për të qenë qytetarë evropianë nuk nis ditën e anëtarësimit, por sot, përmes angazhimit, lidershipit dhe përgjegjësisë qytetare.

Gjatë bashkëbisedimit, z. Pezelj prezantoi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, prezantoi disa nga mundësitë që BE ofron për brezin e ri dhe i inkurajoi ata ta shohin veten si aktorë aktivë të këtij procesi.

“Shpresë, Gëzim, Drejtësi. Më pëlqen shumë slogani që ju mbani në bluzat tuaja. Këto vlera janë edhe ato për të cilat Bashkimi Evropian qëndron”, – u shpreh Pezelj.

Në fjalën e saj, Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, znj. Eljona Elmazi, theksoi se investimi tek të rinjtë është investim i drejtpërdrejtë në demokraci dhe në të ardhmen evropiane të vendit. Ajo nënvizoi se fuqizimi i tyre me aftësi, vlera dhe hapësira reale pjesëmarrjeje është çelësi për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.

Sipas saj, kur të rinjtë përfshihen në vendimmarrje, ndërtojnë iniciativa komunitare dhe dialogojnë me institucionet, ata jo vetëm përgatiten për të ardhmen, por e ndërtojnë atë që sot.

26 vite investim në kapitalin njerëzor

Prej 26 vitesh, World Vision Albania investon në ndërtimin e kapitalit njerëzor të vendit, duke fuqizuar të rinjtë me kompetenca, aftësi, vlera dhe besim, si dhe duke u dhënë mjetet e duhura për të qenë qytetarë aktivë të së ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Alfons Çupaj, PR and Communications, World Vision Albania