Të rinjtë dhe disa nga aktoret më në zë të Shqipërisë janë bërë bashkë në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, për të dhënë mesazhe për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave dhe krijimin e një shoqërie të barabartë.
Organizata World Vision Albania në bashkëpunim me “Eja në Teatër” dhe trupën e aktoreve të shfaqjes teatrale “7 Minuta”, kanë nisur nga Durrësi turin e bashkëbisedimeve me të rinjtë dhe qytetarët me qëllim për të adresuar këtë fenomen dhe për të mundësuar krijimin e një mjedisi ku çdo vajzë dhe grua trajtohet njësoj me djemtë dhe burrat.
Aktoret më në zë të skenës shqiptare, Yllka Mujo, Zamira Kita, Olta Daku, Anila Bisha, Rudina Dembaçaj, Luiza Xhuvani, Paola Kodra, Adelina Muça, Xhoana Karaj, Ajlin Petrela, regjisorja e mirënjohur Driada Dërvishi, si dhe drejtues të insitucioneve vendore, bashkëbiseduan me fëmijët dhe të rinjtë për rolin e rëndësishëm që ata kanë në familje, shkollë dhe shoqëri, për të ndryshuar situatën.
Sipas një studimi të vitit 2022, të realizuar nga organizata World Vision Albania me 464 gra në 8 bashki të vendit, 22.2% e grave të anketuara kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore
Të rinjtë janë aktorë të rëndësishëm në parandalimin dhe raportimin e dhunës me bazë gjinore. Me nismat dhe angazhimin e tyre në komunitetet ku ata jetojnë, mund të ndikojnë në krijimin e një shoqërie të barabartë dhe pa dhunë.
Bisedat mes aktoreve dhe të rinjve do të vijojnë edhe në disa qytete të tjera të vendit, edhe në kuadër të shfaqjes teatrale që kjo trupë do të vendosë në skenë në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.