Kështu i shkruan mikeshës së saj, në Korenë e Jugut, Margaritës, Samanta nga Dibra. Ato kanë lidhur miqësi të fortë, ndonëse nuk janë parë e takuar kurrë personalisht. Letrat e tyre përshkojnë plot 8,500 kilometra para se të mbërrijnë në adresën e vajzave.
“E dashur mikja ime Margarita! Kam marrë shumë dhurata këto kohë, sepse ishin festat. Më shumë më pëlqeu një lepurushe ngjyrë rozë. Unë nuk të harroj në asnjë moment, sepse kudo ku hedh sytë në shtëpi shoh një nga dhuratat e tua. Kujtdo që ka ardhur në shtëpinë time i kam treguar dhuratat që ti më ke sjellë. Qyteti im është mbuluar nga bora. Mua më pëlqen shumë, por fatkeqësisht nuk mundem të dal jashtë e të luaj sepse jam me grip. A bie dëborë tek qyteti yt? Të pëlqen ty dëbora?
Falenderoji shoqet e tua për komplimentin – që unë dukem si aktore. Unë të falenderoj shumë për këshillat e veçanta që më jep. Ngushëllime për qenin tënd. Më erdhi vërtet shumë keq sepse edhe unë i dua shumë kafshët!
Unë jam e gëzuar që ti u bëre mikja ime! Do të të mbaj gjithmonë në zemrën time.
Të dua shumë sepse ti je mikja ime më e mirë!Shpresoj të shihemi një ditë!Të dua shumë! Nga mikja jote, Samanta.”
(Samanta, në zyrën e World Vision në Dibër, duke marrë dhuratat që mikesha e saj,Margarita, i ka sjellë).
Si Samanta, magjinë e miqësisë që kalon kufinjtë, në Dibër, po e përjetojnë edhe 3,300 fëmijë të tjerë, të cilët janë pjesë e projektit të letërkëmbimit të World Vision. Falë tij, miq nga vende të ndryshme të zhvilluara të mbështesin zbatimin e programeve tona (edukim, mbrojtje e fëmijëve dhe rini) për mirëqenien e fëmijëve dhe komuniteteve më në nevojë. Këta miq janë partnerë që kanë për zemër të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve në nevojë.