“Para 2 vitesh mora rrugën e vetme me djalin vetëm 5 vjeçar drejt Gjermanisë për të kërkuar azil se këtu nuk kisha as ushqim dhe as shtëpi. Për të siguruar pasaportën jam detyruar të shes dhe gjakun tim. Atje më është dashur të rri dhe pa bukë, të flija përdhe vetëm me djalin e vogël,” – kështu e nis rrëfimin e jetës së saj Fidaria nga Korça, sot nënë e tre fëmijëve, e cila kohët e fundit është bërë pjesë e projektit RE-IN –VEST për familjet e rikthyera nga emigracioni.
Fjalët e saj ngjajnë me shumë gra të tjera, pjesë e familjeve shqiptare të cilat për shkak të kushteve të vështira ekonomike janë detyruar të emigrojnë jashtë Shqipërisë për të kërkuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Pas rikthimit, shumica prej tyre jetojnë me qira, apo në shtëpitë e dhëna hua përkohësisht nga familjarët e tyre. Fëmijët qëndrojnë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë, ndërsa prindërit ndihen të pafuqishëm për të siguruar të mirat materiale për të cilat ata kanë nevojë.
Disa fëmijë përpiqen të ndihmojnë prindërit duke mos kërkuar gjë tjetër veç nevojave bazike. Prindërit orvaten aty këtu për të gjetur ndonjë punë të vogël sa për të siguruar ushqim, por ata vetë thonë se mundësitë janë të pakta. Mes shumë mundimesh sjellin ndërmend jetën larg Shqipërisë. Pavarësisht vështirësive në emigracion, disa prej tyre shpresojnë sërish të ikin…
“Në Gjermani jetonim tre familje në dhomë me një banjo e një kuzhinë, edhe pasi mësova për shtatzaninë, me djalin e dytë akoma vazhdoja jetoja në kushte të vështira, por mernim një ndihmë sado të vogël. Ushqimi nuk na mungonte, kontrollet e shtatzanisë dhe spitali gjithashtu. Kishim atë që na mungonte këtu, megjithatë jetonim me stresin se një ditë do të na rikthenin.”- shprehet nëna 32 vjeçare.
Por ky nuk ishte shqetësimi i vetëm për familjen nga Korça. Fidaria tregon se djali i vogël, tre muaj pas lindjes shfaqi shqetësime shëndetësore; nuk flinte, nuk ushqehej mirë…
Ajo tregon që kjo situatë vijoi derisa djali u bë 6 muajsh dhe kuptoi se diçka me të nuk shkonte. Nuk hezitoi ta vizionte tek mjekët në Gjermani të cilët i drejtuan vetëm një pyetje që i ka mbetur në mendje.
“A qesh bebi?” – më pyeti doktori gjerman. Nuk e di pse mu dha instikti i nënës dhe i thash PO, qesh. Bëra shumë gabim sepse ai nuk qeshte, ai thjesht buzëqeshte, nuk qeshte me zë si çdo beb,” – shton Fidaria.
Ajo kujton se në atë periudhë, përveçse bartnin me vete shqetësimin për djalin, ndodhi ajo situatë që e gjithë familja i druhej. Policia i nxori nga shtëpia ku ishin strehuar në Gjermani pasi prej disa muajsh iu kishin dërguar tre letra refuzimi njëra pas tjetrës. Të detyruar nga rrethanat u rikthyen në atdhe më të varfër seç ishin larguar. Shtëpi nuk kishin, djali sikur nuk po normalizohej, burri i cili i vuante nga epilepsia kishte probleme, u gjendën sërisht mes katër rrugëve. Prindërit e Fidaries të cilët kishin emigruar për azil i dhanë çelësin e shtëpisë së tyre për t’u strehuar përkohësisht derisa ata të kthehen nga jashtë. Përpos kushteve të vështira ekonomike, mungesë së ushqimit, punësimit të bashkëshortit, familja Podgarija po përballej tashmë edhe me një tjetër sfidë, shqetësimin se çfarë e mundon djalin e tyre të vogël.
“Enesi ishte 9 muaj e gjysëm kur erdhëm këtu, vazhdonte të shfaqte shenja agresiviteti. Kur mbushi 1 vjeç unë mësova se isha shtatzanë me fëmijën e tretë, gjë që nuk e prisja fare, nuk doja ta abortoja, dhe e mbajta fëmijën. Kur Enesi bëri 2 vjeç, unë vendosa t’i bëja një vizitë tek një mjek specialist. Sa e dërgova tek doktoresha, ajo më tha duhet të ikësh në QSUT, ta vizitosh. Atje më thanë se djali vuan nga autizmi. Ishte një situatë e rëndë për mua, nuk e di si e kam përballuar. Isha vetëm me të kur mora lajmin e trishtë,” –vijon rrëfimin Fidarija.
Në këtë situatë të vështirë, ajo bëhet nënë për herë të tretë, kësaj radhe me një vajzë. Me tre fëmijë të vegjël, me djalin e vogël të sëmurë, Fidarija gjendet sot e vetme dhe pa ndihmë. Dita e saj nis dhe përfundon duke u kujdesur për tre fëmijët e saj, por veçanërisht për djalin e vogël i cili ka më shumë nevojë për kujdes. Do ta regjistrojë në kopësht, por druhet se mos nuk ia pranojnë.
Mjekët e kanë këshilluar që djali të ndjekë fizioterapi dhe seanca psikoterapeutike, por ajo nuk ka mundësi për shkak të kushteve ekonomike. Burri së fundmi punon fare pak, sa për të siguruar ushqim, ndërsa ajo nuk punon dot se s’ka ku të lë djalin. Ajo do të ketë një shtëpi, pasi jeton me frikën se nga dita në ditë prindërit e saj mund t’i rikthejnë në atdhe.
“Mendoj se Zoti më ka përballur me shumë sfida në jetë, por lutem vetëm që Enesi të përmirësohet. Pavarësisht se jam e pastrehë, e papunë dhe nuk i përballoj dot, dua vetëm shëndetin e djalit”- shton ajo.
World Vision përmes projektit RE-IN-VEST, të financuar nga Qeveria Gjermane dhe implementuar nga GIZ Albania po i vjen në ndihmë Fidaries dhe të tjera familjeve të rikthyera nga emigracioni në 13 bashki në Shqipëri, të cilat po përballen me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike. Familja Podgorija po ndihmohet me paketa ushqimore për pjestarët e familjes, aktualisht janë shpërndarë pako ushqimore për 226 individë në 56 familje.
Ky projekt po zhvillohet nga World Vision në partneritet me SHKEJ dhe Diakonia Agapes të cilët po ofrojnë mbështetje në aspektin social dhe ekonomik.
#REINVESTproject