Sa kushton një ëndërr…

DSC_0489_0

Ai është 20 vjeç, por, sapo e takon e fillon të bisedosh me të, të vjen ta pyesësh edhe një herë nëse të ka thënë moshën e saktë. Flori, tregon për jetën e tij dhe duket sikur po rrëfen për atë të një tjeri, me më shumë vite mbi supe. I pëlqen më shumë të dëgjojë sesa të flasë, e ndërsa e bën mundohet të mësojë sa më shumë. Ti e kupton menjëherë sa i vlerëson njerëzit që nga mënyra si të vështron, të pyet apo të kërkon mendim. Duket sikur ky djalosh është në kërkim të një modeli, të një shembulli. Dhe, ndoshta pa e kuptuar edhe vetë, ai tashmë është një model, i lehtë për të të frymëzuar, jo dhe aq për ta ndjekur…

Të jetosh në errësirë (në kuptimin e vërtetë të fjalës)

Flori, jeton me prindërit, babain Arbenin, 44 vjeç dhe nënën Dorjanën, 39 vjeç, të dy të papunë, 3 motrat dhe 3 vëllezërit. Ata janë mbështetja e tij, shtysa dhe motivimi. “Ne ishim shumë të lumtur, por që kur prindërit humbën punën filluan vuajtjet tona”, – fillon të tregojë ai. Të ardhurat e vetme ku ata mbështeten janë ato të ndihmës ekonomike, 8 mijë lekë të rinj. Me keqardhje Flori tregon se ato nuk janë asgjë, sepse 6 mijë lek shkojnë për të paguar qiranë e shtëpisë. “Nuk është fare e lehtë të jetosh kështu, kur shikoj që vëllai im shkon tek bufeja dhe nuk gjen asgjë për të ngrënë, më dhemb shpirti dhe të gjitha ëndrrat ëndrra fillojnë  e më shuhen”, – thotë Flori. Ai rrëfen sesi i detyruar nga rrethanat dy vitet e fundit të gjimnazit i ndoqi me sistem të pjesshëm, ndonëse ishte një nxënës i mirë dhe ëndërronte të bëhej gazetar, që të rrëfente historitë e të tjerëve.

“Edhe pse të vazhdoja universitetin ishte ëndrra ime më e madhe, mendova të heq dorë nga shkolla, sepse ne kishim nevojë për para.

Unë dhe babi ishim të vetmit që mund të punonim. Mami nuk mundej sepse vëllai më i vogël është 1 vjeç e gjysmë. Dhe kështu e gjeta veten duke bërë punë të vogla, për të mbajtur familjen.

Me babin kemi prerë dhe ngarkuar dru, e shumë punë të tjera, dhe nuk jemi paguar më shumë se 1 mijë lekë të rinj në ditë”, – rrëfen Flori.

Duket që ai ka marrë mbi supe një barrë të madhe, e që ndoshta nuk i takon. Ka vendosur të sigurojë të ardhura për familjen duke sakrifikuar veten, dhe të ardhmen që ka ëndërruar. Ai thotë se nuk i mbeti rrugë tjetër. “Kemi tetë muaj pa drita në shtëpi, po jetojmë në errësirë. Gjatë ditës nuk e ndjejmë, por kur fillon errësohet dhe nata afron, drita e mëngjesit duket sikur s’do të dalë më”, – vazhdon Flori, ul kokën dhe nuk flet për disa minuta. Ata i detyrohen 80 mijë lek të rinj detyrime të papaguara OSSHE-së.

E ndërsa tregon për vështirësitë e shumta që has çdo ditë, Flori thotë se besimi për një të ardhme më të mirë nuk iu shua kurrë. Ai është përpjekur të rrokë çdo mundësi që i ka dalë përpara, çdo mundësi që e afronte më shumë me ëndrrën e tij.

Të jetosh ëndrrën…

 

Flori, në bibliotekën e universitetit. (Foto nga Linda Karameta @worldvision)

“Kjo është një ëndërr, për mua, për familjen time dhe për çdo të ri në komunitetin tim, atë egjiptian”, – thotë Flori kur nis e tregon se si i ndryshoi jeta. Ai sot studion në vitin e parë të fakultetit ekonomik, dega menaxhim biznes, në qytetin e tij, Korçë. As vetë nuk e beson që ia doli. “S’di çtë them, është mundësia e jetës sime! Unë dua që kur të përfundoj shkollën të punoj me të rinjtë, me ata që si unë kanë një jetë të vështirë, dua t’i ndihmoj ata të realizojnë ëndrrat e tyre, sikurse më ndihmuan mua”, – tregon Flori.

Ai është sot drejtuesi i grupit të të rinjve që bashkëpunon me World Vision në Korçë. Janë rreth 25 vetë, të moshës 18-24 vjeç. Grupi i tij është një nga 3 grupet e të rinjve, ku janë të angazhuar rreth 60 të rinj në qytetin e tyre.  Grupet janë krijuar në kuadër të projektit të SKYE Club-eve, që synon të fuqizojë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre për të sjellë ndryshim në zonat ku jetojnë, ndryshim social dhe ekonomik.

“Sa herë që kujtoj Florin në takimet e para që bënim me të rinjtë, më vjen ta krahasoj me atë tokën ku hedh shumë fara, dhe disa mbijnë e lulëzojnë aq shumë sa thua kjo paska qënë toka e duhur. Me Florin kështu ndodhi, na u duk si një drejtues i lindur, por që i duhej vetëm mbështetje”, – tregon Isiona, punonjëse e World Vision në zyrën e Korçës. Nga një djalë i heshtur dhe që nuk përzihej me turmën ai filloi të fliste, tregonte për veten dhe realitetin që e rrethonte. Ai ishte gjithmonë i rregullt, gjithmonë në orar, i përgatitur, i etur për të mësuar më shumë. Kur ai vetë kujton pjesëmarrjen në takimet e para të organizara nga World Vision, tregon se si filloi të besonte tek fuqia e zërit të të rinjve. “Për herë të parë, besova se, nëse ne bëheshim disa të rinj dhe punonim për gjërat që na interesonin: për edukimin e fëmijëve, për mosdiskriminim, për të qenit një qytetar më i mirë, ne mund t’ia dilnim të ndryshonim gjërat”, – tregon Flori.  Dhe në fakt, kështu ndodhi.

Ata kanë ndërmarrë nisma të ndryshme, një ndër to është takimi me fëmijë e prindër gjatë të cilit u kanë folur se sa i dëmshëm është diskriminimi. Flori tregon se pse ata e morën këtë vendim. Në zonën ku ai jeton, ka diskriminim racor ndaj komunitetit rom dhe egjiptian, madje ka pasur edhe konflikte të shumta. Në lagje ka shumë banorë romë, po ashtu edhe 3 shkollat e saj kanë një përqindje të lartë të nxënësve nga ky komunitet. Ata kishin vënë re sesi shumë prindër stepeshin t’i dërgonin fëmijët në këto shkolla sepse nuk donin që ata të rrinin me fëmijët romë. Për këtë arsye, grupi i tyre zhvilloi dy projekte. Njëri ndodhi në kuadër të “Javës Globale Kundër Diskriminimit Racor”. Ata shkuan nëpër drejtoritë e shkollave dhe kërkuan të bëjnë takime me nxënësit e klasave të 8-ta dhe të 9-ta. Nxënësit shkuan dhe ata ishin jo vetëm nga komuniteti rom dhe egjiptian.

E ndërsa punonte për një komunitet më të mirë, Flori po i afroj gjithnjë e më shumë ëndrrës së tij. Ajo që e stepte më shumë atë ishte frika se do ta linte familjen pa mbështetje financiare dhe se nuk do ta përballonte dot universitetin. Dhe pikërisht atëherë kur mendonte se do ta kishte të pamundur, Flori takoi Eldën, që punon në World Vision. “Nëse nuk do ta kisha takuar Eldën me siguri sot nuk do isha këtu ku jam. Ajo besoi tek unë që në fillim, besoi që mund t’ia dilja. Madje nuk më la rrugëdalje tjetër, shton ai duke qeshur. Më tha që unë duhet të vazhdoja studimet dhe unë kështu bëra”. Dhe kështu ai tregon se si ajo vendosi ta mbështeste, duke i qëndruar pranë, por dhe financiarisht, që ai të përballojë shpenzimet e studimeve. Ndërsa Isiona, u interesua në institucionet përkatëse dhe mundi të siguronte që Flori të përfitonte nga një bursë që jepej për anëtarët e komunitetit egjiptian që i mbulonte pagesën vjetore të universitetit.

Tani që ai ka bërë pothuajse gjysmën e vitit të parë, tregon se ka pasur edhe raste kur ka menduar mos të shkojë në shkollë dhe të punojë, por nuk e ka bërë dhe për këtë nuk është penduar aspak. “Ndoshta një ditë do të menaxhoj gazetën time”, – thotë ai duke treguar se gazetaria vazhdon të jetë profesioni i tij i preferuar. Atij i pëlqen shumë edhe të flasë në publik ndaj këtë vit ai aplikoi për të qënë folës në konferencën e përvitshme kombëtare të rinisë që World Vision organizon për qindra të rinj. I bëri të gjithë miq, i bëri për vete me humorin dhe mirësinë. Këtë vit ai gjithashtu mori pjesë në konferencën rajonale të SKYE Clubs.

 “2 fjalë” nga Flori…

Nuk është e lehtë të tregosh historinë tënde, sidomos kur ajo nuk është siç e ke ëndërruar, kur ka shumë ditë të jetës të cilat do doje t’i fshije nga kujtesa…

Por,unë ia dola edhe pse nuk ishte e lehtë. Pata një ëndërr dhe pata besim…