Pas zbatimit me sukses në zonën e Dibrës të projektit 1 vjeçar “Përmirësimi i jetesës përmes ruajtjes së biodiversitetit të parkut natyror Korab-Koritnik”, drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi dhe drejtoresha ekzekutive e Prespa Ohrid Nature Trust – PONT, Mirjam de Koning firmosën fazën e dytë të këtij bashkëpunimi për 3 vitet në vazhdim.
Në fazën e re të tij, krahas zonës së mbrojtur Korab-Koritnik në Dibër, pjesë e projektit do të jetë edhe parku kombëtar Shebenik në zonën e Librazhdit.
Projekti “Ndërtimi i përgjigjes nga komuniteti, për mbrojtjen e biodiversitetit në parkun natyror Korab-Koritnik dhe parkun kombëtar Shebenik”, financohet nga Prespa Ohrid Nature Trust – PONT dhe zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me qendrën Agritra-Vizion në Dibër dhe organizatën “Përtej të sotmes” në Librazhd.
Ky projekt do të mbështesë komunitetet lokale në ndërtimin e kapaciteteve për të reaguar në mbrojtje të biodiversitetit në dy zonat e mbrojtura.
Do të punohet në 3 drejtime kryesore:
- Në rritjen e kapaciteteve të fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, si dhe mbështetjen e iniciativave të tyre për mbrojtjen e biodiversitetit në të dy zonat.
- Në mbështetjen e iniciativave që mundësojnë gjenerimin e të ardhurave, specifikisht me kultivimin e bimëve mjekësore nga gratë fermere dhe të rinjtë, si një alternativë që njëkohësisht redukton presionin ndaj burimeve të egra në zonat e mbrojtura.
- Në mbështetjen e aktivitetete ekonomike prodhuese dhe turistike, për të njohur dhe respektuar standardet e operimit në zonat e mbrojtura.
Projekti harmonizon ruajtjen e biodiversitetit, fuqizimin ekonomik, aktivizmin e të rinjve, si dhe barazinë gjinore përmes fuqizimit të grave fermere.