Nxënësit e katër shkollave publike në Shqipëri e nisën këtë vit shkollor me laboratorë inteligjentë të rinj, të cilët do të mbështesin aftësimin e tyre teknologjik, duke i përgatitur për të ardhmen.
Katër SmartLabet e reja, një investim i World Vision Albania, janë ndërtuar në Kamëz dhe Durrës, duke ju dhënë mundësi fëmijëve që të përgatiten për një të ardhme më inovative.
Drejtoresha Ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, vizitoi shkollën 9-vjeçare “Demokracia” në Kamëz, një nga shkollat përfituese, ku pa nga afër sesi nxënësit dhe mësuesit po përdorin laboratorin e ri.
Nxënësit e klasës së dytë, të udhëhequr me përkushtim nga mësuese Arta, shfaqën kuriozitet dhe entuziazëm për mësimin digjital.
“SmartLab-et po u japin fëmijëve mundësinë të mësojnë ndryshe, përmes eksplorimit, programimit dhe krijimtarisë. Çdo nxënës ka hapësirën e vet për të zbuluar talentin dhe për të ndërtuar aftësi për të ardhmen,” – tha Elmazi, ndërsa theksoi se World Vision Albania do të vijojë të jetë krah fëmijëve dhe të rinjve, me nisma dhe programe që ju japin atyre aftësi dhe i përgatisin për jetën.
Për mësuese Artën, ky investim e bën më interaktive dhe të lehtë orën e mësimit.
“Nxënësit janë shumë të angazhuar dhe mezi presin të përdorin kompjuterat dhe smartbordin. Shoh se ata mësojnë duke eksperimentuar dhe duke punuar bashkë. Rezultatet janë frymëzuese,” – thekson ajo.
Ndërsa ecin në hapat e parë të aftësimit teknologjik, vogëlushët shprehen se laboratori inteligjent i ka bërë orët e mësimit më argëtuese.
“Na pëlqen shumë laboratori! Tani mësimi është më argëtues dhe më i lehtë për të kuptuar gjërat. Kam mësuar çdo ditë gjëra të reja,” – thotë njëri nga nxënësit.
Katër laboratorët inteligjentë janë ndërtuar sipas modelit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe janë pajisur me teknologji moderne, duke i kthyer klasat tradicionale në hapësira interaktive dhe krijuese.
Mbështetja e World Vision Albania, synon që të afrojë më shumë dhe në mënyrë cilësore nxënësit/fëmijët me teknologjinë, për të nxitur njohuritë në fushën e programimit dhe kodimit, si dhe për t’iu dhënë atyre mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre drejt inovacionit dhe zgjidhjeve kreative për të ardhmen.
Përmes këtyre ndërhyrjeve, World Vision Albania vijon të mbështesë përfshirjen digjitale, arsimin cilësor dhe ndërtimin e një jete në plotësi për çdo fëmijë.
Alfons Çupaj, PR and Communication – World Vision Albania





