Për shumë të rinj dhe gra në Lezhë, orientimi i duhur profesional dhe gjetja e një pune, shpesh mbetet një sfidë reale. Falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, ndërhyrjeve të World Vision Albania dhe partneritetit të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, kjo po ndryshon. Projekti “Nxitja e Punësimit të Denjë për të Rinjtë dhe Personat e Papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë” po krijon ura konkrete mes aftësive, tregut të punës dhe shpresës për një të ardhme më të qëndrueshme.
Një qendër e re, një fillim i ri
Në zemër të Lezhës, është hapur Qendra e Orientimit dhe Këshillimit të Karrierës, një hapësirë ku të rinjtë, gratë dhe personat e papunë nuk marrin vetëm informacion, por edhe orientim dhe besim për të hedhur hapa më të sigurt drejt punësimit. Përmes këshillimit profesional dhe orientimit të personalizuar të karrierës, përfituesit po zbulojnë rrugë të reja zhvillimi, të përshtatura me nevojat reale të tregut të punës.

Aftësi që kthehen në mundësi
Falë partneritetit me Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe mbështetjes së Drejtoria Rajonale e Punësimit Lezhë, ndërhyrjet e projektit në Lezhë kanë sjellë rezultate konkrete:
- 20 të rinj janë certifikuar në Digital Skills dhe Soft Skills, duke u pajisur me aftësi të kërkuara nga tregu i punës.
- 15 të rinj kanë përfunduar praktika 1-mujore në kompani të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Tiranë, duke përjetuar nga afër realitetin e punës.
- 15 gra janë përgatitur për tregun e punës përmes trajnimeve në komunikim, punë në grup dhe mikpritje, përfshirë kuzhinë, shërbim, recepsion dhe mirëmbajtje.
- 9 gra janë tashmë në proces punësimi në biznese lokale në Lezhë, duke hedhur hapat e parë drejt pavarësisë ekonomike.

Një model që kapërcen kufijtë
Ndërkohë, i njëjti model po zbatohet edhe në Mali i Zi, ku Agjencia e Punësimit në Mal të Zi po mbështet të rinjtë dhe gratë përmes zhvillimit të aftësive për punësim dhe sipërmarrje. Ky bashkëpunim ndërkufitar po dëshmon se investimi tek njerëzit është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm, që askush të mos mbetet pas.
Përtej shifrave, histori ndryshimi
Pas çdo certifikate, praktike profesionale apo kontrate pune, qëndron një histori personale; një i ri më i sigurt për të ardhmen, një grua me aftësi të reja në sektorin e mikpritjes, një komunitet më i qëndrueshëm. Pikërisht këto histori janë zemra e projektit.

Projekti “Nxitja e Punësimit të Denjë për të Rinjtë dhe Personat e Papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë” financohet nga Bashkimi Evropian përmes IPA Cross-border Cooperation Programme Montenegro – Albania dhe zbatohet nga World Vision Albania, në partneritet me Agjencinë e Punësimit në Mal të Zi dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Shqipëri.
Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania