Çfarë do të thotë kujdes social për ju?
Fuqizim. Gjithëpërfshirje. Mbrojtje. Barazi.
Këto janë vlerat thelbësore që ndërtojnë programin BE për Kujdesin Social, teksa punon për të krijuar një mjedis të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirës.
Në fillim të muajit qershor, BE për Kujdesin Social zhvilloi dy (2) forume me pjesëmarrjen e qeverive vendore dhe organizatave të shoqërisë civile (OShQ), me qëllim formësimin e një mjedisi lejues për zhvillimin e partneriteteve të mundshme, me objektiv përmirësimin e sistemit të shërbimeve sociale në Shqipëri.
Këto entitete janë thelbësore në zbatimin e programit, i cili do të zbatohet në bazën e një skeme nën-grantesh, përmes së cilave qeveritë vendore dhe OShQ-të do të punojnë së bashku për zbatimin e ndërhyrjeve dhe ofrimin e zgjidhjeve të reja për përfituesit e këtyre shërbimeve.
Përgjatë forumeve të organizuara në Durrës dhe Elbasan nga World Vision Albania dhe UNICEF, pjesëmarrësit patën mundësinë për të mësuar më shumë mbi programin, për të ndarë informacione mbi gjendjen aktuale të shërbimeve sociale dhe për OShQ-të që të ndajnë platformat e tyre në fushën e shërbimeve sociale.
Në kuadër të nxitjes së partneriteteve, një metodë inovative e quajtur “rrjetëzim i shpejtë” iu dha mundësinë pjesëmarrësve për të mësuar më shumë rreth punës së njëri-tjetrit, e rrjedhimisht duke zbuluar fusha të mundshme bashkëpunimi në kuadër të BE për Kujdesin Social.
“Fryma e BE për Kujdesin Social konsiston në bashkëpunim, partneritet dhe stabilitet. Kur të prezantoni idetë apo projektet tuaja, duhet të krijoni një hapësirë për qëndrueshmërinë dhe vazhdueshmërinë e këtyre shërbimeve,” – tha Edina Kozma Zv. Përfaqësuese e UNICEF Shqipëri
Gjithashtu, gjatë forumeve znj. Xhilda Papajani, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u përfshi në diskutime me pjesëmarrësit për mundësitë që ky program do të ofrojë për vendin.
“Vetëm 2% e popullsisë merr shërbime sociale. Programet si BE për Kujdesin Social do të ndihmojnë në zgjerimin e tipologjive dhe shtrirjen gjeografike të shërbimeve,” – u shpreh Xhilda Papajani, Përgjegjëse Sektori, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Për të kuptuar më shumë mbi përvojën e pjesëmarrësve dhe se si ata u ndjenë gjatë forumeve, ekipi organizator zhvilloi një pyetësor, në të cilin pjesëmarrësit nga 14-të bashkitë dhe OShQ-të e ndryshme u ndalën te rëndësia e takimeve mes kolegëve të së njëjtës fushë, cfarë lejon ndarjen e përvojave dhe praktikave më të mira; si dhe zhvillimin e të menduarit kritik në lidhje me projekt propozimet për skemën e nën-granteve të BE për Kujdesin Social.
Në javët e ardhshme, programi do të publikojë Thirrjen për Propozime, e cila do të jetë e hapur për aplikime për 14 bashkitë, pjesë të programit si dhe organizata të shoqërisë civile, për të punuar për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit social, ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme për personat në rrezik përjashtimi, promovimin e vullnetarizmit rinor dhe ofrimin e zgjidhjeve domethënëse për të gjithë personat që kanë nevojë për kujdes social.
Programi BE për Kujdesin Social financohet nga Bashkimi Evropian, zbatohet nga UNICEF Shqipëri dhe World Vision Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë.