Një jetë dedikuar të rinjve të qytetit tim

DSC_0959

Besnik Hidri ka lindur në Laç dhe, si pak nga bashkëmoshatarët e tij nuk është larguar dhe as nuk e ka menduar një gjë të tillë. Ai ka një lidhje të veçantë me qytetin e tij dhe njerëzit atje. Edhe kur u largua për studimet e larta, në Shkodër, ai iku me idenë se do të kthehej dhe do të jepte kontributin e tij aty ku kishte lindur. Besniku ka studiuar për histori dhe prej 11 vitesh punon si mësues historie. Kjo zgjedhje nuk qe e rastësishme. “Mësuesja ime e historisë ka qenë modeli im për shkak të vlerave njerëzore që përcillte tek ne. Që në klasë të 5-të kam ëndërruar të bëhem mësues. Kjo është puna më e bukur në botë”– thotë Besniku.  Aktualisht, ai po punon në shkollën e fshatit Gjorëm, të rrethit të Kurbinit.

Të gjithë e duan shumë mësues Besnikun. Përkushtimi i tij nuk shihet shpesh në keto zona. Ai punon përtej orarit të punës dhe këtë e bën pa kërkuar asgjë në këmbim. Puna me fëmijët dhe të rinjtë i jep shumë kënaqësi. Ai është i duruar dhe kjo është një nga gjërat që i ka afruar më shumë me njëri-tjetrin.

Pasioni i tij për t’i parë ata të rriten të lumtur, të realizuar dhe qytetarë model, bëri që ai t’i bashkohej organizatës World Vision dy vite më parë. Kur organizata shpalli një thirrje për drejtues grupesh rinore, Besniku qe ndër të parët që aplikoi.

Kështu, që prej 2 vitesh, në mënyrë krejt vullnetare, ai drejton grupin e të rinjve të quajtur Impact Club Reagimi. Ata janë rreth 25 anëtarë dhe nën drejtimin e Besnikut dhe Rinit, drejtuesit tjetër të grupit, kanë ndërmarrë nisma të shumta me synimin për ta bërë më të mirë komunitetin ku jetojnë. Besniku veçon 2 prej tyre.

Në Milot, 4 veta kanë humbur jetën për shkak të mungesës së sinjalistikës së duhur rrugore. Nisur nga kjo, ata vendosën të përmirësonin sinjalistikën. “Shkuam tek drejtuesi i njësisë administrative dhe i folëm për idenë tonë. Ai na mbështeti dhe ndaj ndamë punët”- tregon Besniku. Njësia mori përsipër hapjen e gropave për vendosjen e tabelave dhe hedhjen e betonit.  World Vision siguroi tabelat, ndërsa të rinjtë i vendosën. “Që atëherë nuk ka pasur më humbje jetësh. Nuk them që kjo është falë nesh, por ne të paktën dhamë kontributin tonë”- thotë Besniku. Tabelat janë akoma aty dhe i tërë grupi krenohet me veten dhe banorët që po i mirëmbajnë.

Mësuesi dhe miku i tyre, Besniku, i ushqen me dashurinë dhe kujdesin për njëri-tjetrin. Ata e kanë të lehtë ta ndjekin, spese ai vetë është një shembull i mirë për ta.

Para disa kohësh, ata organizuan një shfaqje me piktura dhe me paratë e mbledhura nga shitja e tyre ndihmuan një djalë me probleme shëndetësore. Më pas, të gjithë bashkë, shkuan në shtëpinë e tij dhe ia dorëzuan shumën familjarëve të tij. “Pak rëndësi ka sa para mblodhën. Rëndësi ka përkushtimi i tyre dhe vullneti i mirë. Kur vajtëm atje, familjarët u prekën shumë. Na qerasën me shegë. Neve na u mbush zemra dhe të rinjtë u frymëzuan shumë”- rrëfen Besniku.

Ai beson fort se të rinjtë kanë shumë potencial, por ju mungojnë shembujt. Ai u është bërë mik, i dëgjon, kalon kohë me ta që t’i njohë dhe për t’i mbështetur nuk ndalet para asgjëje.

“Kam parë të rinj që vishen me rroba firmato, që lëvizin me makina të shtrenjta, ama kur ndodhi permbytja në Laç, në dimër,  hoqën ato rroba, veshën të tjera dhe pastruan shtëpitë e fshatarëve nga balta, lluci dhe papastërtitë. Për këta të rinj kemi nevojë. Ama, ata duhen mbështetur”- përfundon Besniku.