Liria e kalon pjesën më të madhe të ditës në serën që me shumë mund ka ngritur pranë shtëpisë, si dhe duke u kujdesur për bagëtitë. Aty derdh gjithë energjitë, por edhe shqetësimet; aty bën plane se si të ndërtojë një të ardhme më të mirë për fëmijët e saj. Ditët e 42-vjeçares janë të gjata dhe të lodhshme, por kjo është e vetmja mundësi për të që të sigurojë të ardhura për familjen.
“Qëllimi im është që fëmijët e mi të kenë një jetë më të mirë,”- thotë fermerja nga Fushë-Kruja, e cila në të njëjtën kohë punon dhe bisedon me ne. Krah saj është edhe Alesia, vetëm 6 vjeçe. Nënë e bijë kujdesen për bimet e mbjella.
Liria jeton në një nga fshatrat e Fushë-Krujës dhe është një prej 10 familjeve që janë mbështetur me pompa vaditëse në kuadër të projektit “Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente”. Projekti i financuar nga UNDP dhe që po zbatohet nga World Vision Albania, ndihmon familjet në nevojë për të hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik më të qendrueshëm, duke iu dhuruar inpute bujqësore dhe blegtorale.
“Këtu ku unë banoj nuk ka mjaftueshëm ujë. Nuk ka as sistem ujitës, prandaj e kemi shumë problem vaditjen e tokave bujqësore. Tashmë pompa më mundëson marrjen e ujit nga kanali dhe vaditjen e gjithë tokës. Presim më shumë prodhim këtë vit,”– na tregon ajo, e inkuruajuar për mundësinë që i është ofruar.
Liria ka mbi shpatulla gjithë barrën e mbajtjes së familjes. Bashkëshorti i saj është i paaftë për punë të rënda fizike, pasi para disa vitesh është aksidentuar me motor dhe ka pësuar dëmtime të rënda.
“Të gjitha më duhet t’i bëj vetë. Djali im është 17 vjeç dhe prej disa muajsh ndodhet në Itali, por e ka patur shumë të vështirë të punësohet dhe po mendon që të rikthehet në Shqipëri,”- na tregon 42-vjeçarja.
Krah serës, në oborrin e shtëpisë ndodhet një tendë e vogël. Prej 3 vitesh, familja 4 anëtarëshe strehohet aty, pasi banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe u shpall e pabanueshme nga ekspertët. Për të përballuar të ftohtin gjatë dimrit, të afërmit e ndihmuan familjen për të ndërtuar një dhomë të vogël krah stallës së bagëtive. Ata presin që së shpejti të përfitojnë nga shteti një banesë të re në Fushë-Krujë, por toka do jetë sërish “shtëpia” e Lirisë.
Ajo thekson se do të vijojë të kthehet çdo ditë pranë tokës se saj për ta punuar, pasi bujqësia dhe blegtoria janë e vetmja mënyrë për të ushqyer familjen.
“5 dynym tokë kam vendosur ta mbjell me jonxhë, ndërsa 3 dynym të tjera do t’i mbjell me misër. Vështirësitë ekonomike, rritja e çmimit të farës, naftës dhe plehut, na e bën shumë të vështirë këtë vit, por nuk do ndalem,” – na tregon ajo.
Liria është një grua luftarake. Aksidenti i bashkëshortit dhe dëmtimi nga tërmeti i shtëpisë ku kanë investuar gjithçka, kanë qenë dy goditje të forta për të dhe familjen e saj, por ajo nuk dorëzohet. Shembulli i saj frymëzues na tregon se me punë dhe këmbëngulje mund t’ia dalim edhe në sfida.
Projekti “Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente” zbatohet në Fushë-Krujë, Bubq dhe Thumanë dhe iu vjen në ndihmë 100 familjeve. 65 prej familjeve janë mbështetur me paketa ushqimore dhe higjienike, ndërsa 35 familje të tjera me inpute bujqësore dhe blegtorale.
Njëkohësisht, përfituesit e projektit dhe komuniteti rreth tyre mbështeten për të ndërtuar një sërë aftësish të nevojshme për të përballuar më mirë situatat e emergjencës në të ardhmen.
Ky ndërhyrje është marrë në kuadër të “Përgjigje e Mbrojtje Sociale ndaj Tërmeteve” (ESPR), një projekt i zbatuar nga UNDP dhe i financuar nga SDG Acceleration Fund. Projekti mbështet Qeverinë Shqiptare dhe dhe tre bashki të prekura nga tërmeti, në procesin e dizenjimit dhe përkthimit të politikave që synojnë në ndërmarrjen e veprime të duhura lokale për të siguruar që burrat, gratë, vajzat dhe djemtë që jetojnë në varfëri, ose situata të cënueshme, që ndërthuren me kushtet pas tërmetit, të kenë akses në shërbime sociale të integruara dhe cilësore.