Nisma e të rinjve IMPACT, World Vision mbjell 550 pemë në Parkun e Liqenit të Paskuqanit

Organizata World Vision Albania ka mbështetur nismën e të rinjve të grupeve IMPACT në Bashkinë Kamëz për mbjelljen e 550 pemëve në parkun e liqenit të Paskuqanit.

Mbjellja e pemëve është një nga mënyrat më efektive për të ndikuar pozitivisht dhe në mënyrë të qendrueshme në mjedisin që na rrethon, si dhe për të zbutur ndikimin e ndryshimeve klimatike,”- shprehet Lisara, pjesë e grupit ideator të të rinjve.

Bashkë me të rinjtë, e pranishme në mbjelljen e pemëve (frutore dhe dekorative) dhe finalizimin e kësaj nisme, ishte edhe drejtoresha ekzekutive e World Vision Albania, Eljona Elmazi, si dhe përfaqësues të Bashkisë Kamëz. Të gjithë nënvizuan rëndësinë e krijimit të mjediseve të gjelbëruara dhe çlodhëse dhe ndikimin pozitiv në jetën e fëmijëve, të rinjve dhe komunitetit në tërësi.

Nisma e të rinjve vjen edhe si përgjigje ndaj të dhënave që dolën nga studimi “Kriza Klimatike: Perceptimet e Fëmijëve dhe të Rinjve mbi Ndryshimet Klimatike dhe Transformimin Mjedisor në Shqipëri”. Sipas studimit të World Vision Albania, (64.6%) e të rinjve favorizonin mbjelljen e pemëve si një mënyrë që adreson sfidat mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

Organizata World Vision Albania punon prej 16 vitesh në zonën e Kamzës me programe që kanë në fokus rritjen e mirëqenies se fëmijëve dhe të rinjve më në nevojë, fuqizimin e familjeve dhe komuniteteve të tyre.  Mbështetja jonë shumëplanëshe do të vazhdojë për të siguruar ndryshime pozitive, afatgjata dhe të qëndrueshme.