Të ndryshëm, por të barabartë! Vazhdimisht në komunitetin tonë ndarjet që vijnë si pasojë e origjinës kanë qenë të pranishme. Adoleshentët si pjesa më e ndjeshme e reagimeve shoqërore vuajnë nga përceptimet e vrazhda, të cilat qëndrojnë boshe përballë vlerave që ata mbartin si individë. Prandaj e shtojmë si të nevojshme pyetjen: “A duhet të ndikojë mjedisi banues në diferencat shoqërore?”
Adoleshenca përfaqëson fazën më të bukur të jetës tonë, fazë e cila lë shenja të gdhendura në zemren e secilit prej nesh. Fati na ndau në dy paralele: në adoleshentë të qytetit dhe në ato të fshatrave. Kjo ndarje krejt e parëndësishme është bërë shkaku kryesor që ndan padrejtësisht adoleshentët nga njëri tjetri. Ky fakt çon në përbuzje, bulizëm e në mbivlerësim të vetes. Adoleshentët të cilët duhet të jenë bashkë për ndryshim, fatkeqësisht ndahen në grupe në varësi të vendbanimeve duke sjellë kështu pasoja negative në çdo aspekt.
Nga statistikat e bëra në gjimnazin “Said Najdeni”, rezulton se 70 % e nxënësve jetojnë në qytet dhe 30% jetojnë në fshat. “Shumicën e kohës e kaloj me bagëti, më duhet të ndihmoj edhe familjen”- tregon Astriti, një adoleshent i cili ndjek gjimnazin “Said Najdeni” dhe që jeton në fshat. Ai shton madje se atë pjesë të lirë që mbetet na pëlqen ta kalojmë duke luajtur me top ose duke kapur peshq. Ashtu si Astriti edhe 25% e nxënësve të tjerë pohojnë se fshati i tyre i plotëson kushtet për zhvillimin e prirjeve dhe talenteve. Vërehet se në 90% të rasteve, adoleshentët që jetojnë në qytet, kalojnë kohën e lirë në telefona. Kjo vjen për shkak se mjedise sportive, artistike dhe mjedise të tjera edukuese mungojnë. “Koha e lirë këtu në qytet është tejet e thjeshtë, na mjafton telefoni, të bëjmë disa xhiro me makinë, të shkojmë në kafene dhe ne ndihemi të plotësuar”- thotë Erigeni.
Pra vihet re se jeta në fshat u mundëson adoleshentëve të jenë më në kontakt me natyrën dhe të lenë botën e teknologjisë jashtë. Pikërisht kjo shkakton dhe “konfliktin” mes këtyre dy grupimeve. Adoleshentët që jetojnë në fshat konsiderohen si jashtë mode për shkak se nuk kanë përqafuar këtë risi teknologjike.
Këtë mendësi e pohon edhe nje sociologe e cila ka ndjekur më nga afër rutinën e dy të rinjve. “Duke qenë se ky fenomen është ndjekur nga unë personalisht, kam arritur në përfundimin se ka një ndryshim madhor midis këtyre dy realiteteve.” Adoleshentët në zonat rurale nuk kanë mundësi ekonomike dhe sociale. Detyrohen që adoleshencën e tyre ta shijojnë duke u kujdesur për familjen. Ndryshe nga zonat urbane, ku jetesa e adoleshentëve sigurohet nga prindërit e tyre, të cilët kanë më tepër luks për të shijuar kënaqësitë e moshës. Prandaj është shumë e rëndësishme të ndryshohet kjo mendësi, të thyhen barrierat dhe të punohet për ekuilibrin e zhvillimit mes tyre.