Nga Vaskë dhe Joan, Korçë/ “Braktisja e shkollës nga fëmijët romë”

^EA3CAFF41924E4208FBAD11678E2C9A62F2482A646D8F3EB74^pimgpsh_fullsize_distr

Nga raportimet e bëra në vitin 2015 nga një iniciativë e nxënësve dhe mësuesve të shkollës “Bardhyl Pojani” në Pojan, rreth 70% e fëmijëve të komunitetit rom në fshatin Pojan po largohen gjithmonë edhe më tepër nga ambientet e shkollës duke sjellë vështirësi në integrimin e tyre në shoqëri.Në fshatin Pojan të rrethit Korçë, një problem shqetësues ka qenë gjithmonë largimi nga bankat e shkollës të komunitetit rom. Largimi i tyre nga shkolla ka bërë që këta fëmijë të futen shpesh në rrugë të gabuara dhe kjo vjen për shkak te mosvazhdimit dhe mosmarrjes së dijeve shkollore. Problemet e tyre kanë të bëjnë me punimin në punë të rënda dhe fillimi i duhanpirjes ne moshë të vogël etj.

Problemi më i madh është punësimi i tyre, ku sipas ligjit fëmijët nën moshën 18 vjec nuk duhet të punësohen apo punojnë në punë të rënda pasi kjo sjell pasoja akoma më të mëdha: si në shëndetin fizik ashtu edhe në atë psikologjik. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, punësimi i të gjithë pjestarëve të familjes për komunitetin rom është tepër i rëndesishëm pasi edhe të ardhurat e fituara në çdo familje do të jenë më të mëdha duke mbuluar pjesën më të madhe të shpenzimeve. Punët në bujqësi dhe ndërtim janë ndër punët kryesore dhe ndër më të vështirat për këta fëmijë që në vend që të shkojnë në shkollë, largohen edhe më tepër prej saj.

Por nga ana tjetër edhe gjetja e një pune nga familjarët e këtyre fëmijëve në fshatin Pojan është e vështirë. Nëqoftëse do të shkoni në këtë fshat, shumë prej fëmijëve do t’i gjeni në qendrën e fshatit duke mos u bashkuar me pjesën tjetër të fëmijëve, që tashmë po marrin mësimin e ditës nga mësuesit e shkollës.

Lindja e shumë fëmijëve është një tjetër arsye që bën që këto familje të përballen me vështirësitë e ndryshme ekonomike, ku më të predispozuar për punë janë djemtë, ndërsa për vajzat martohen në moshë shumë të vogël. Këto fakte janë vërtetuar nga observimi në terren, ku janë parë vajza nën moshë, të martuara dhe djem nën moshë që punojnë.Prindërit e fëmijëve e shikojnë shkollën si një zgjidhje për jetën e të gjithë familjes, por problemet ekonomike dhe punet e shumta me të cilat ata përballen, bëjnë që të lënë pas dore shkollimin dhe marrjen e dijeve nga fëmijët.

Në intervistën e bërë tek një mësues i fshatit Pojan u tha se vite më parë këta fëmijë nuk vinin pothuajse fare në shkollën tonë, ndërsa tani disa prej tyre vijnë në ambientet e shkollës, por jo aq sa është numri i këtyre fëmijëve”. Mësuesja thotë se janë marrë iniciativa nga shkolla për sjelljen e këtyre fëmijëve në shkollë por rezultatet nuk kanë qenë aq sa ishin pritshmeritë. Disa pyetje u bënë edhe tek familjarët dhe një fëmijë i këtij komuniteti  tha se ata nuk kanë ndonjë aktivitet të mirë ku të mësojnë dhe të argëtohen. Prindërit janë të vetëdijshëm që shkollimi i fëmijëve të tyre është i rëndësishëm, por ende nuk po reagojnë në masën e duhur.

Prandaj zgjidhja e duhur do të ishte shkollimi që do të sillte jo vetëm një jetesë më të mirë, por do të sillte edhe largimin e fëmijëve nga veset e këqija ku ata futen.