Kjo histori nuk fillon sot, por shumë vite më parë. Aty kanë marrë dije shumë breza që janë ulur në bankat e kësaj shkolle dhe të gjithë kanë kaluar të njëjtin problem. Kanë kaluar afërsisht rreth 60 vite dhe asnjë zgjidhje.
Si është historia e vërtetë e kësaj shkolle? Kush ishte brezi i parë që u ul në bankat e shkollës? A u kërkua ndonjëherë e drejta për fëmijët e shkollës? Kur do të zgjidhet si problem? A mund të quhet shkollë e kompletuar një shkollë e cila nuk ka tualet? Ose më saktë ka, por nuk është funksionale… Aty ku lënda e edukimit fizik nuk mund të kryhet ashtu siç duhet pasi nuk ka asnjë mjet dhe as kabinet?
Një shkollë ku fëmijët janë të detyruar të gjejnë librat në rrugë të tjera, pasi shkolla nuk i mundëson ato. Aty ku nuk ka një sistem të mirëfillte ngrohjeje? Si do të zgjidhen këto probleme? A ka patur ndonjëherë ndonjë që është kujtuar për fatin e kësaj shkolle? Shumë pyetje pa përgjigje…
Nëse drejtohemi në dyert e banorëve për të pyetur përgjigjet do jenë të pritshmet. Për të hedhur pak dritë e dije edhe për këta fëmijë të fshatit Gocaj, u bë e mundur ndërtimi i një godine të vogël me disa klasa të vogla ku fëmijët mund të mësonin dije dhe njohuri. Kjo shkollë u kompletua me materialet bazë sa për të filluar mësimin, si me banka, karrige dhe dërrasë të zezë.
Siç e dimë të gjithë çdo shkollë ka nevojë për shumë elemente që të jetë e kompletuar, por një ndër kryesoret është tualeti i fëmijëve. U ndërtua njëkohësisht me shkollën, por nuk u vendos kurrë në funksion pasi mungonte uji. Në një shkollë ku mesatarja e nxënësve para disa viteve ka arritur në 70 nxënës, asnjëherë nuk u kompletua siç duhej të ishte. Dhe si për ironi të fatit mungonin edhe shumë gjëra të tjera…
Ora e edukimit fizik nuk u zhvillua kurrë gjatë stinës së dimrit pasi shirat e shumtë e përbaltnin oborrin e shkollës. Ndërkohë banorët e fshatit që u edukuan në këtë shkollë.. me keqardhje Drane Celaj thotë: ”Në atë kohë ishim shumë të kënaqur pasi na u mundësua shkrim dhe këndim. Mësuam të shkruanim dhe të këndonim emrin tonë. Më kujtohet si të ishte sot klasa e parë. Ne ishim shumë të entuziasmuar dhe të kënaqur për faktin që pak dritë po hidhej mbi ne”.
Por kur bëhet pyetja rreth tualetit ato përgjigjen sërish. Zef Shabi: ”Që kur kam qenë në shkollë, tualeti ka qenë, por nuk është përdorur. Shumë herë ishim të detyruar të mbushnim ujë në lumin Drin në afërsi të shkollës, por kur prindërit e merrnin vesh këtë ulërisnin, pasi frikësoheshin se rrezikonim të mbyteshim. Ky ishte një problem që kur u hap shkolla dhe me informacionin që kam vazhdon po i njëjti problem”.
Banorët duan të flasin, por disa nuk duan të prononcohen e disa të tjerë nuk dinë ku të drejtohen më. Thonë se janë derdhur shumë fonde për të ardhur uji në shkollë dhe asnjëherë nuk është mundësuar një gjë e tillë. Është për të ardhur keq pasi shpenzimi për këtë gjë nuk është edhe shumë madhor, pasi lumi Drin ndodhet vetëm në një largësi prej 200 metra nga shkolla. Por kjo shkollë nuk ndalet vetëm me kaq pasi ka dhe probleme të tjera madhore.
Fëmijët të cilët janë nxënës sot thonë: “Shokët tanë thonë që kanë shumë gjëra të bukura në shkollën e tyre. Ata gjithmonë krenohen për shkollat ku mësojnë, ndërsa ne luajmë kukafshehtazi në oborrin e shkollës dhe arrijmë të fshihemi shumë mirë pas shkurreve që janë në oborrin aty. Kemi frikë, sepse mund të ketë zvarranikë. Jemi të mërzitur në këtë shkollë, por nuk kemi mundësi të shkojmë në një shkollë tjetër. Nuk kemi ku të lozim, pasi gjatë dimrit ka baltë e lluc, ndërsa gjatë pranverës pluhur”.
E çfarë mund të thuash më shumë për një shkollë fillore ku të gjithë e dimë se ata, nxënësit e fillores e kanë më të nevojshme se të gjithë të marrin njohuri që në fillimet e para, për një shkollë ku ka nxjerrë krerë dhe drejtues të lartë. Apo mos ndoshta historia e ëmbël e arritjeve të mëdha do të përfundojë këtu? E vetmja e mirë që kujtojnë këta banorë nga kjo shkollë është: ”Kemi mësuar, kemi marrë dije”, por asgjë tjetër që lë mbresa.
Të gjithë kur e kujtojmë klasën e parë krenohemi për kujtimet, por banorët e këtij fshati trishtohen. Sa shumë probleme për një shkollë, të cilat vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Edhe sa vite do të vazhdojë e njëjta situatë e të njejtat probleme? Pyetja është, por pa përgjigje dhe përsëri këta banorë dhe fëmijët e kësaj shkolle do vazhdojnë të thonë: ”Shpresojmë e asgjë më shumë”.
Mua s’më mbetet shumë për të thënë vetëm shpresoj që dikush të kthejë kokën pas dhe të kontibuojë për këtë shkollë para se ajo të rrënohet. Qoftë shteti ose organizata të ndryshme, në mënyrë që kjo shkollë të vazhdojë të jetë funksionale me kushte të mira, apo qoftë edhe ata që sot respektohen në çdo vend e që dikur ishin nxënës të kësaj “godine”, pasi i janë borxhli.