“Në komunitetin tim, zëri i të rinjve nuk dëgjohej.”
Kështu e përshkruan Lisara realitetin e saj disa vite më parë. Problemet ishin përreth saj, por ajo nuk e mendonte se mund të ishte pjesë e zgjidhjes.
Nga heshtja në veprim
Gjithçka ndryshoi rreth 6 vite më parë, kur Lisara u bë pjesë e grupeve #IMPACT të World Vision Albania, një model që çdo vit fuqizon rreth 1300 të rinj në të gjithë Shqipërinë. Përmes mentorimit, trajnimeve dhe mbështetjes, të rinjtë si Lisara mësojnë të identifikojnë problematika në komunitet dhe të ndërmarrin nisma konkrete.
“Përfshirja ime në World Vision ka qenë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Më ndihmoi të kuptoj që ndryshimi nis nga ne… ose më saktë, nga unë,” tregon 17 vjeçarja.

Nisma që transformojnë komunitetet
Në takimet e përjavshme me grupet IMPACT, Lisara dhe bashkëmoshatarët e saj nuk ndalën vetëm tek diskutimet, apo aftësitë personale. Me mbështetjen e World Vision Albania, idetë e tyre transformohen në projekte konkrete: laboratorë informatike, kënde sportive në shkolla, mbjellje pemësh, kënde lojërash, fushata ndërgjegjësuese, etj,.
“Janë me dhjetëra nisma që kemi ndërmarrë në zonën e Kamzës dhe më gjerë. Ndihem jashtëzakonisht e lumtur kur shoh ndryshim në shkollë, në komunitet apo në rrethin tim shoqëror,” – thotë Lisara, ndërsa shton se ndryshimin më të madh e ka parë tek vetja, pasi kjo eksperiencë e ka ndihmuar të ndërtojë aftësi të reja, të fuqizojë veten dhe të jetë mbështetje për të tjerët.
“Një ndër nismat me impaktin më të madh në komunitetin ku unë jetoj ka qenë nisma informuese dhe ndërgjegjësuese për lundrimin të sigurt në internet. Kjo sepse të rinjtë, për t’u larguar nga përditshmëria, bullizimi apo mosrespektimi i të drejtave, zhyten në botën online për t’u ndjerë më mirë. Shpesh aty hasin rreziqe. Nëpërmjet kësaj nisme ne ndamë mesazhe ndërgjegjësuese dhe mësime konkrete mbi rreziqet online. Ishte e mrekullueshme të shihja sesi nxënësit u ndërgjegjësuan dhe mësuan për mënyrat se si mund të mbrojnë veten dhe të lundrojnë më të sigurt në rrjetet sociale.”- shton ajo.
Kur idetë bëhen realitet
Gjatë pesë viteve të fundit, të rinjtë e programeve IMPACT kanë realizuar 345 iniciativa komunitare që adresojnë çështje si përfshirja, barazia, mbrojtja e fëmijëve dhe mjedisi. Por për Lisarën, një nga nismat më të veçanta ishte krijimi i një hapësire të sigurt për fëmijët, ku ata mund të luanin, ndërsa prindërit kalonin kohë aty pranë.
Me mbështetjen e World Vision dhe në partneritet me bashkinë Kamëz, kjo ide u bë realitet, duke u finalizuar me tre kënde lojërash për fëmijët dhe hapësira rekreative për prindërit, duke e kthyer zonën e liqenit të Paskuqanit në një prej vendeve më të vizituara nga banorët.
“Sa herë dëgjoj të qeshurat e fëmijëve aty, sa herë i shoh të luajnë me gëzim, gëzohem pasi e di që puna jonë ia ka vlejtur,” kujton Lisara.
Fuqizimi që sjell ndryshim
Historia e Lisarës tregon se kur të rinjtë mbështeten dhe fuqizohen, ata nuk presin që ndryshimi të vijë nga të tjerët, ata e ndërtojnë vetë.
Dhe modeli IMPACT është rruga që World Vision Albania përdor për t’i bërë të rinjtë si Lisara agjentë ndryshimi në komunitetet e tyre.
“Do të doja shumë që programet e World Vision të mbërrinin te çdo i ri dhe e re në çdo qytet të Shqipërisë. Ata kanë nevojë për mbështetje më shumë se kurrë.”- shton Lisara, ndërsa e mbyll rrëfimin e saj me bindjen “se kjo do të sillte shpresë, gëzim dhe transformim”.
Nga Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania
