Po e filloj shkrimin tim me një pyetje për bashkëmoshtarët e mi. Çfarë kuptoni ju me heshtje? Është ai momenti kur nuk di, apo nuk do që të japësh një përgjigje?
Të heshtësh do të thotë të mbyllësh gojën, sepse nuk ke guxim të tregosh të vërtetën. Them kështu sepse një rast dhune në shkollën tonë ku unë studioja tronditi të gjithë nxënësit dhe mësuesit, disa muaj më parë.
I dhunuari në fjalë është djalë 14-vjeç në klasën e nëntë. Thuhet se djemtë nuk para dhunohen, por bullizmi nuk bën përjashtime.
K.D u përball me këtë fenomen, pa i bërë gjë njeriut. Gjithçka lindi nga një dëshirë absurde e “të fortëve të shkollës” që t’i krijonin një reputacion për imazhin e tyre. Ajo që i ndodhi atij ishte drithëruese… E kercënonin teksa e kishin lidhur dhe kjo gjë ndodhte në tualetet e shkollës…
Mund të them se rasti u zgjidh dhe u morën disa masa, sepse Punonjesja e Njësisë së Mbrojtes së Fëmijëve erdhi në shkollë dhe punoi si me viktimën e bullizmit, ashtu edhe me ato që e ushtruan. U mblodh grupi Teknik Multidisiplinar dhe diskutuan në lidhje me çështjen. Ajo çfarë ndodhi ishte që, u bë thyerja e notës në sjellje e atyre që ushtruan bullizmin.
Rast tjetër të ngjashëm nuk kam dëgjuar deri më tani, por kjo nuk e mohon faktin që bullizmi akoma vazhdon të jetë i pranishëm në shkollat tona.
Ndoshta një pjesë e gabimit qëndron edhe tek ne nxënësit, pasi ishim ne që nuk reaguam dhe nuk bëmë asgjë në ndihmë të djalit që po dhunohej.
Prandaj mendoj se jemi ne ata që mund të bëjmë ndryshimin, jemi ne ata për të cilët fëmijët që dhunohen kanë me të vërtetë nevojë. Ne duhet të jemi zëri i tyre! Prandaj bëhu i pari, që të ngresh zërin dhe të japësh një dorë të gjithë fëmijëve që kanë nevojë për ty.