Në kamp, me Kesjanën

1_104

Kesjana është 11 vjeçe dhe jeton në fshatin Selanë të Dibrës me 2 prindërit, nënën Ardita, të atin Gazmir, motrën Ajlina dhe vëllain e vogël, Alteon. Ajo tregon se për të siguruar jetesën, prindërit, punojnë tokën. Me disa prej të korrave ato ushqehen, ndërsa të tjerat i shesin. Kështu bëjnë edhe shumë banorë të tjerë në fshatin ku ajo jeton. Në Selanë ka shumë pemë, lule dhe kafshë. Shtëpitë, janë të thjeshta, përdhese. Një ndër to është edhe e 11 vjeçares.

Asaj i pëlqen të ulet në kopsht, tek ndjenjësja që i ati i ka përgatitur dhe të humbasë në lexim. Kesjana i ka shfrytëzuar pushimet e kësaj vere për të lexuar libra jashtë shkollorë. “Unë i adhuroj librat dhe, këtë verë mora shumë nga biblioteka e shkollës”, – tregon ajo. Ka lexuar 20 libra këtë verë. Sikur të mundej do të lexonte edhe më shumë, por librat në bibilotekë, fatkeqësisht, nuk janë të shumtë. Ndonëse i do shumë librat dhe duket si një vajzë e artit, Kesjana ëndërron të bëhet doktoreshë. “Dua të ndihmoj të gjithë njerëzit, sidomos ata që vuajnë”, – thotë ajo. E vogla është shumë afër ëndrrës së saj, sepse me mësime është e shkëlqyer.

Këtë vit, për here të parë, ajo u përzgjodh nga World Vision për të marrë pjesë në një kamp veror. “Identifikuam më nevojtarët, ata fëmijë që për shkak të mundësive financiare nuk kanë mundësi të bëjnë pushime verore. Dhe Kesjana, ishte një ndër to. Familja e saj është e varfër, ndonëse prindërit punojnë shumë që të vegjëve mos t’ju mungojë asgjë, me të mbjellat nuk fitohet shumë”, – thotë Vali, punonjëse e World Vision në zyrën e Dibrës. Për të disatin vit rradhazi, World Vision, bashkë me partnerët, mundëson pjesëmarrjen e mijëra fëmijëve në nevojë në kampe verore sepse, ato u ofrojnë mundësi argëtimi dhe pjesëmarrjeje në aktivitete ku mësojnë vlera që i ndihmojnë të jenë qytetarë më të mirë.

Kur punonjësit e World Vision shkuan në fshat dhe i thanë Kesjanës se ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në një kamp veror, “fluturoi” nga gëzimi dhe filloi menjëherë të bënte gati çantën. Futi rrobat, bashkë me ato të plazhit, këpucët dhe një libërth.

Ajo udhëtoi rreth 6 orë për të mbërritur në kamp, që organizohej në një fshat të kryeqytetit. Bashkë me të ishin edhe 80 fëmijë të tjerë nga Dibra. Në kamp, Kesjana u bë mike me të gjithë. Atë e gjeje kudo. Por këndi i saj i preferuar ishte pishina, sepse i pëlqen shumë të notojë. Notin e ka mësuar në lumin e fshatit. Ndërsa në pishinë nuk kishte qenë kurrë më parë. Edhe punimet e dorës në kamp i pëlqenin shumë. Byzylykun që mban në dorë, e ka bërë vetë. Gjatë orës së punëdores, ato kanë realizuar gjithashtu flutura, fishekzjarre dhe kartolina urimi për miqtë. Një stacion tjetër ku ajo dhe miqtë e saj kënaqeshin shumë, ishte ai i shfaqjeve në skenë. Të rinj, vullnetarë të Alo ! Mik, fondacionin me të cilët World Vision ka bashkëpunuar për realizimin e kampeve për qindra fëmijë, çdo ditë vinin në skenë shfaqje ku aktorët ishin vetë ata. Qëllimi i tyre ishte t’u jepnin fëmijëve mësime të vlefshme për jetën, për dashurinë mes njëri-tjetrit, për shpresën dhe forcën e besimit.

Gjatë orës së punëdores.

Përmes punës në grupe, fëmijët patën mundësi të zhvillonin aftësi bashkëpunuese. “Ne ishim ndarë ndarë në grupe dhe të gjithë ishim në kërkim të thesarit (që në fakt ishte një foto e tërë fëmijëve bashkë). Gupi im quhej Zbuluesit. Por, gjatë atyre ditëve, unë kam kuptuar se thesari i vërtetë nuk është floriri, por dashuria, dashuria që ne njerëzit kemi për njëri-tjetrin dhe ajo që Zoti ka për të gjithë ne”, -thotë Kesjana. Ajo mban mend si një ditë të veçantë ditën kur e caktuan drejtuese të grupit. Tregon se kishte shumë emocione, por nuk do ta harrojë kurrë sepse, atë ditë, ata, fituan lojën në grupe dhe varka imagjinare të cilës i kishin hipur iu afrua shumë thesarit.

Fëmijët gjatë kërkimit të thesarit.

 

Ndonëse fare e vogël në moshë, ajo është burim idesh dhe energjie. Në takimet me grupin e fëmijëve në shkollën e saj, nuk mungon asnjë herë. Është shumë e lumtur që këtë vit shkoi në klasë të 4-t. “Mezi e prita shkollën, por mund të them se që tani më ka marrë malli për pushimet, sidomos për kohën në kamp. Ishte pjesa më e bukur e verës sime”, – na tregon Kesjana çapkëne.

Këtë vit, ajo dhe miqtë e saj kanë një arsye më shumë për të shkuar me kënaqësi në shkollë. Me mbështetjen e World Vision, vjet, ata rregulluan dritaret dhe dyert në shkollë. Për të dhe mijëra fëmijë të tjerë në zonat më të varfra të Shqipërisë, World Vision punon përmes programeve afatgjata, për të siguruar zhvillim të komuniteteve dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët.

Kesjana është vetëm një nga 5000 fëmijët që, këtë verë, morën pjesë në kampet verore.