Durrës, 400 familje morën ndihmë të menjëhershme pas përmbytjeve

Reshjet e dendura të shiut të 6 janarit 2026, shkaktuan përmbytje të rënda në disa zona të vendit, ndërsa më i prekur ishte Durrësi. Qindra familje u përballën brenda pak orësh me prezencë uji në banesat e tyre, duke pësuar dëme të mëdha ekonomike, por edhe pasiguri për ditët në vijim.

Kam humbur investimin e një jetë,” – thotë një nga banorët e prekur. “Janë dëmtuar orenditë shtëpiake, pajisjet elektrpshtëpiake, ushqimi ynë, por edhe ushqimi për kafshët. Gjithçka”,”- shton ai.

Sipas të dhënave nga strukturat e emergjencave civile pranë Prefekturës së Qarkut Durrës, rreth 2 500 banesa janë dëmtuar nga përmbytjet.

Në këtë kontekst, World Vision në bashkëpunim me partnerët, ndërmori një reagim të shpejtë dhe të koordinuar humanitar për të mbështetur 400 familjet më të prekura.

Ndërhyrje e shpejtë humanitare për 400 familje

Me mbështetjen e Start Network, World Vision Albania po koordinon dhe bashkëzbaton një ndërhyrje të shpejtë humanitare, duke lehtësuar nevojat emergjente të 1800 personave në dy prej Njësive Administrative më të prekura, Katund i Ri dhe Sukth, përmes ofrimit të paketave ushqimore dhe higjienike, batanijeve, jorganëve dhe ngrohëseve. Kjo ndërhyrje po realizohet në partneritet me Save the Children in Albania dhe Islamic Relief Albania.

Pakot ushqimore përmbajnë 32 produkte bazë, të dizajnuara për të mbuluar nevojat më emergjente të familjeve në këtë fazë të vështirë, ndërsa ditët në vijim familjet do të mbështeten edhe me soba gatimi dhe dyshekë fjetjeje.

Ndërhyrja po realizohet në bashkëpunim të ngushtë edhe me Bashkinë Durrës, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Policinë e Shtetit, duke siguruar koordinim efektiv, akses në komunitetet e prekura dhe shpërndarje të drejtë të ndihmës.

Përmbytjet, një rrezik i përsëritur

Përmbytjet mbeten një nga rreziqet natyrore më të shpeshta dhe me kosto të lartë për Shqipërinë. Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Shqipëria ka humbur rreth 2.5 miliardë dollarë në tre dekada si pasojë e përmbytjeve, çka tregon nevojën urgjente për masa parandaluese, investime në infrastrukturë dhe menaxhim të qëndrueshëm të rrezikut.

Në këtë realitet, ndërhyrjet humanitare të menjëhershme janë thelbësore për të ndihmuar familjet të kalojnë momentin e krizës, por po aq e rëndësishme mbetet edhe ndërtimi i qëndrueshmërisë së komuniteteve përballë fatkeqësive të përsëritura natyrore.

Si u sigurua mbështetja nga Start Fund

Pas përmbytjeve të 6 janarit, World Vision Albania, në koordinim me partnerët dhe autoritetet vendore, realizoi një vlerësim të shpejtë të nevojave në zonat më të prekura të Bashkisë së Durrësit. Bazuar në këtë vlerësim dhe në situatën emergjente në terren, World Vision UK, përmes rrjetit Start Network, paraqiti një propozim për aktivizimin e Start Fund, duke argumentuar nevojën për një reagim të menjëhershëm humanitar. Propozimi u vlerësua dhe u miratua nga mekanizmi i Start Fund, duke mundësuar sigurimin e fondeve për një ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar në mbështetje të familjeve të prekura nga përmbytjet.

Rreth Start Fund

Start Fund është një mekanizëm humanitar reagimi i shpejtë ndaj emergjencave, pjesë e Start Network, një rrjet global prej dhjetëra organizatash humanitare që synon të bëjë sistemin e ndihmës më efektiv dhe më të drejtë për komunitetet në krizë. Start Fund aktivizohet kur anëtarët e Start Network identifikojnë një emergjencë, si përmbytjet e fundit në Durrës, dhe disburson fonde shumë shpejt, për të mbështetur reagimin humanitar në terren. Kjo e bën një nga mekanizmat më fleksibël dhe më të shpejtë të financimit emergjent në botë.

Fondi mbështetet nga qeveri dhe donatorë institucionalë ndërkombëtarë, përfshirë vendet si Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Holanda, Gjermania, të cilët kontribuojnë për të siguruar se ndihma humanitare mund të arrijë tek njerëzit në nevojë pa vonesa.

Qëllimi i Start Network, përmes Start Fund dhe iniciativave të tjera, është të nxisë një sistem humanitar më të drejtë, të vendosë fuqinë dhe burimet pranë organizatave lokale dhe të sjellë ndihmën më shpejt ku nevojitet.

By Alfons Çupaj, PR and Communications – World Vision Albania