Mundësi për 100 të rinj, World Vision Albania mbështet për të tretin vit radhazi “Korça ICT Academy – Code for Albania”

Për të tretin vit radhazi, World Vision Albania mbështet organizimin e një prej akademive më të mëdha verore të inovacionit në Shqipëri, “Korça ICT Academy – Code for Albania”.

Mbi 100 të rinj nga e gjithë Shqipëria, mes të cilëve 17 nga grupet IMPACT të World Vision Albania, ndodhën në Korçë dhe për dy javë do të jenë pjesë e eksperiencës më fantastike të teknologjisë nën udhëheqjen e pedagogëve të huaj nga Universiteti i Stanford në SHBA.

Akademia Verore e Teknologjisë dhe Informacionit është një mundësi fantastike për të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë, për t’i pajisur ata me aftësi që i bëjnë gati për tregun e punës. Ajo synon mbështetjen e të rinjve për të arritur potencialin e tyre të plotë, por edhe angazhimin e tyre për zgjidhjen në mënyrë inovative të problematikave në komunitetet ku ata jetojnë.

Code for Albania është një trajnim 3 vjeçar i strukturuar në kampe verore dhe leksione gjatë gjithë vitit. Me përfundimin e kampit dyjavor, Akademia e Inovacionit vijon përgjatë vitit me sesione mësimore online, me synim përgatitjen e të rinjve për tregun kombëtar dhe global të punës, si dhe angazhimin e tyre për zgjidhjen në mënyrë inovative të problematikave në komunitetet ku ata jetojnë.

Kurrikulat më të mira të kodimit dhe programimit, përvoja amerikane dhe kreativiteti i të rinjve shqiptarë janë garanci që shumë start-up-e të suksesshme do të krijohen nga kjo nismë.

“Korça ICT Academy – Code for Albania” organizohet nga Code.X dhe AlphaPlan me mbështetjen e Bashkisë Korçë dhe World Vision Albania.