Mjalt!

sefer foto 1

“Mjalti është ilaç!” – thotë populli.

Kësaj here mjalti ose Festa e Mjaltit në Librazhd mikpriti jo vetëm qytetarët e banorët e fshatrave përreth, por edhe shumë miq nga e gjithë Shqipëria.

Mjalti ishte produkti kryesor i panairit, por kishte edhe shumë produkte të tjera bujqësore, blegtorale e prodhime artizanale. Çdo prodhim apo produkt ka një histori pas. Kështu është edhe historia e Seferit. Sytë i shkëlqejnë ndërsa njerëzit ndalojnë për të shijuar djathin e baxhos së tij. Është 53 vjeç dhe jeton në Pishaksh Veri, 40 minuta larg Qendrës së Njësisë Administrative Qukës të Bashkisë Përrenjas. Është babai i 4 fëmijëve, më i madhi 26 vjeç e më i vogli, Danieli. Si shumë kryefamiljarë të tjerë në atë zonë, edhe Seferi emigroi në Greqi për t’i siguruar familjes së tij një jetë më të mirë se sa fshati iu ofronte. Por 11 vite më parë, familja u gëzua me djalin e dytë. Siç thonë familjarët, për shkak të disa komplikacioneve gjatë lindjes, djali u diagnositikua me  paralizë  të gjymtyrëve dhe zhvillim të vonuar intelektual.

Jeta e Seferit dhe e bashkëshortes së tij ndryshoi. “Nuk mund të largohesha më nga familja sepse Danieli kishte nevojë për kujdes, për t’u dërguar në spitale e për t’u ndjekur tek mjekët. Vendosa të qendroj pranë familjes. Me ato pak të ardhura që kisha mora 150 krerë dhi dhe mes shumë vështirësish e sfidash fillova biznesin e blegtorit, për t’u bërë më pas baxhier. Fillova të shes produktet e para e të shikoja përsëri një dritë të ardhurash për të gjithë, por veçanërisht për Danielin që kishte nevojë për më shumë përkujdesje e vëmendje” – thotë Seferi.

Biznesi i tij, sado i vogël e ka ndihmuar të mbulojë shpenzimet e familjes, por që edhe bashkëshortja e tij të jetë më e lirë dhe t’i përkushtohet Danielit. Këtë vit do të heqë veç disa të ardhura që të sigurojë transportin e Danielit për në qendrën ku mund të marrë shërbimet e nevojshme. Por për të arritur deri në Festën e Mjaltit, rruga nuk ishte aspak e thjeshtë.

Në këto momente të vështira e pa asnjë përkrahje, gjeta forcë dhe zemër tek World Vison. Përveç ndihmës materiale, stafi i WV ka qenë gjithmonë pjesë e halleve të familjes sime, madje i kanë organizuar Danielit edhe festën e ditëlindjes. Kurse unë kam marr pjesë gjithmonë në trajnimet e organizura për zhvillimin e biznesit. Por Festa e Mjaltit, siç po e quajmë tani, ka qenë një ëndërr për të gjithë ne! Gjithmonë kemi dëshiruar një panair të mirëfilltë këtu në vendin tonë. Para disa kohësh mora pjesë në një tjetër panair dhe produkti im i djathit u vlerësua me çmim të parë” – tregon ai.

Ka një vit që po pregatitej për Festën e Mjaltit. E thotë se gjithmonë iu bënte thirrje bashkëfshatareve që mos të emigronin, por të kthenin kokën pas nga tokat e tyre. “Ndoshta nuk do fitojmë shumë dhe nuk do bëhën kurrë të pasur, por me siguri do u mundësojë të mbajnë familjet e tyre dhe do fitojnë gjënë më të shtrenjtë: afrimitetin, dashurinë, familjen e tyre” – rrëfen i lumtur Seferi që nuk ka hequr dorë.