Melinda është një nga të rinjtë e blogut “Reporteri” në qytetin e Shkodrës. Prej 5 vitesh ajo angazhohet për të trajtuar tema dhe çështje të rëndësishme që i shqetësojnë të rinjtë në komunitetet ku jetojnë.
Sot me anë të këtij shkrimi, 18 vjeçarja ka zgjedhur të trajtojë disa nga problematikat, sipas saj më të ndjeshme, për të rinjtë siç janë: arsimi, punësimi dhe emigrimi jashtë Shqipërisë.
Blogu ‘Reporteri’ – 18 vjeçarja sjell këndvështrimin e saj mbi temat më të diskutuara për të rinjtë si ajo në ditët e sotme
Sa prej nesh e ndalin hapin dhe e pyesim veten – Çfarë përpjekjesh bëra unë sot që fëmijët dhe të rinjtë e vendit tim të kenë një të ardhme më të mirë nesër?
Të rinjtë kanë një peshë të madhe për një shtet, një komb, apo për të ardhmen. Por a e dinë të gjithë rëndësinë e saj, duke marrë parasysh faktin që përkushtimi kundrejt tyre është i pakët?
Le ta nisim nga baza: shkolla, arsimi, një nga gjërat më shqetësuese për ne sot, ku ne kalojmë një kohë domethënëse të fëmijërisë dhe rinisë sonë. Një i ri mund të kalojë shumë vite në shkollë për të arritur profesionin që dëshiron dhe në fund është e dhimbshme që nuk realizon ëndrrën e synuar, dhe kjo vjen për shumë arsye që të gjithë i njohim tashmë. Këtu nxitemi të bëjmë një shkollë për të patur një dokument në dorë dhe jo për t’u përgatitur për tregun e punës. Shkollat tona më duken shumë teorike, ndërkohë praktika mungon. Të gjithë zgjedhin thjesht të mbarojnë shkollën dhe nuk mendojnë se si ajo do t’i ndihmojë në jetë.
Shpesh këto faktorë dhe shumë të tjerë i shtyjnë të rinjtë shqiptarë të lënë vendin e familjet e tyre për t’u shkolluar në një vend që s’e njohin e s’i njeh. E pse duhet të jetë e nevojshme kjo?! Përse të rinj si unë duhet të largohen dhe t’i shërbejnë një vendi tjetër, kur mund të krijohen kushtet që ato të arsimohen dhe të ndihmojnë në ndërtimin e vendit të tyre.
E kështu rrjedh natyrshëm një problem tjetër i të rinjve: punësimi. Në Shqipëri, të rinjtë duhet të bëjnë trefishin e përpjekjeve për të marrë atë që iu nevojitet dhe pse jo që meritojnë. Duhet të luftojnë shumë për të gjetur një vend pune; duhet të luftojnë edhe me paragjykimet e prindërve për atë që ata bëjnë. Shpesh paragjykohemi nga shoqëria se shfrytëzojmë keq kohën dhe na gjykojnë për dëshirat pa marrë parasysh se koha ka ecur, ka ndryshuar, dhe bashkë me kohën kanë ndryshuar edhe brezat.
Nga ana tjetër na thuhet se jemi të rinj dhe nuk përjetojmë ndonjë stress apo ankth të madh. Në fakt, ne të rinjtë i përjetojmë të gjitha këto sepse vetë rrethanat e krijuara në shoqërinë tonë na bëjnë të ndihemi kështu.
Unë nuk dua të jem një “gur i rëndë” që nuk peshon në vend të vet.
Dua të jem fryma e vërtetë e rinisë…Kam vetëm një ëndërr dhe ajo është që të arrij të plotësoj parimet e mia, shkollimin për degën që dua, arritja e profesionit të dëshiruar dhe të qënurit dikushi në jetë.
Shumë të rinj si unë këtu në Shqipëri ndjejnë nevojën për më shumë ndryshime që duhen bërë në mënyrë që të rinia t’ia dalë për të arritur ëndrrat, qëllimet dhe të bëhen qytetarë aktiv e të shëndetshëm në shoqëri.
Nga Melinda, 18 vjeçe
Pjesë e të rinjve të blogut ‘Reporteri’