#Më Përqafo

^11928F700E9833194F4BB3DFF5260BD1F4EF42183791AF9E82^pimgpsh_fullsize_distr

“E tallnin, i thoshin vjen erë, nuk e pranonin në lojë, i kishin thyer syzet. Vogëlushja ishte kthyer në shenjestër nga bashkëmoshataret e saj. Mbeta pa fjalë sepse është me aftësi të kufizuara, ka vështirësi në të nxënë. Megjithëse arrij të shkoj vetëm 1 herë në muaj në atë shkollë, sepse kam edhe 15 të tjera, pyesja veten si është e mundur që nuk e kisha vënë re.” – këto janë fjalët e Ilirjanës, psikologes nga Korça.

E kishte lënë Shqipërinë para 13 vitesh për të vazhduar studimet në degën e Psikologjisë në Itali. Dëshira për të qenë në vendlindje e për sjellë përvojën e fituar e riktheu para 2 vitesh në Korçë.

Ajo thotë se puna e ka vënë përballë situatave nga më të ndryshme, ku fenomeni i bullizmit dhe cyber bullizmit është më i përhapuri dhe më shqetësuesi.

“Fëmijët dhe të rinjtë i bëjnë njëri-tjetrit shantazhe nga më të ndryshmit, veçanërisht në rrjetet sociale që ata i përdorin aq shumë. Kjo disave u dëmton vetëvlerësimin e të tjerë i bën agresiv. Më e keqja është se ata nuk janë të ndërgjegjshëm për dëmin që shkaktojnë. Ata që bien pre e kësaj dhune, nuk dinë ku dhe si të rapotojnë dhe as nuk i njohin rreziqet që u vijnë kur e mbajnë dhunën vetëm për vete, pra kur nuk raportojnë” – rrëfen ajo.

Madje edhe rastin e vajzës e kishte vënë re dhe kishte guxuar t’ia tregonte psikologes një nxënëse tjetër, më e rritur. Ajo i kishte thënë Ilirjanës se kur bashkëmoshatarët e ngacmonin, fillonte qante, por nuk i ishte ankuar as mësueses apo të ëmës.

“U habita sepse e ngacmonin dy vajza të sjellshme e të mira në mësime. Sjellja e tyre ishte surprizë e pakëndëshme për mua. Lajmërova drejtuesin e insitucionit e organizova një takim me të gjithë. Nxënëset e pranuan se nuk ishin sjellë mirë me shoqen e tyre të shkollës. Në fillim të prillit po organizoj edhe një takim me prindër dhe mësues. Do takoj dhe nënën e. Që tani ka filluar ndryshimi…” – thotë psikologia

Pas takimit fëmijët janë ndërgjegjësuar e nuk e venë më në lojë vajzën e klasës së katërt, por nuk ka mundësi ta ndjekë ecurinë e përditshme. Për Ilirjanën, numri i madh i fëmijëve që duhet të asistojnë me shërbim psikologjik është shumë i madh.

Ajo kujton se në fillim ishte ajo që i takonte prindërit dhe u fliste për problemet që kishin fëmijët e tyre, ndërsa sot janë ata që vijnë tek ajo.

“Për të arritur deri ketu na kanë ndihmuar edhe trajnimet që bëjmë herë pas here. Do të veçoja këtu trajnimin e fundit në World Vision ku morëm informacion për institucionet përgjegjëse që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve, rolin dhe përgjegjësitë e secilit” – tregon Ilirjana e vendosur në qëllimin që i ka vendosur vetes. Mirëqenie e fëmijëve!