Anxhela, sot 18 vjeçe, nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të realizonte ëndrrën e nënës dhe 4 motrave të saj. Nuk e mendonte kurrë se një ditë fshati i saj do të pushonte së qëni e gjithë bota e saj dhe se edukimi për vajzat si ajo nuk ishte thjeshtë një ëndërr.
Ajo jeton në fshatin Vreshtas të Korçës me nënën, Shkëndijen, dhe tre motrat, Marsidën që punon si guzhiniere, Aurelën që për shkak të kushteve shëndetësore nuk mundet të punojë dhe Kristjanën që punon tokat në fshat për të ndihmuar familjen. I ati i ka braktisur kur Anxhela ishte vetëm 6 vjeçe. I la në mëshirë të fatit dhe nuk u kujdes më për to. E reja nga Korça tregon se nëna është heroina e saj. “Ajo është kujdesur gjithmonë për ne, ka punuar ditë e natë që neve mos të na mungonte asgjë”, – tregon ajo.
E ëma pastron ambjentet në kishën e fshatit. Krahas pagesës, anëtarët e kishës i janë gjendur gjithmonë pranë familjes së tyre. Ata u kanë dhënë veshje, ushqime dhe madje i kanë ngritur çatinë e shtëpisë sepse ajo pikonte dhe banesa ishte mbuluar nga lagështira. Anxhela mban mend shumë pak ditë të lumtura e të qeta. Ama, një gjë e mban mend mirë: dëshirën e të gjthëve në familje që ajo të arsimohej, të paktën ajo të kishte një të ardhme më të mirë. Anxhela, nuk ka shkuar kurrë në shkollë me rroba të reja. Libra të rinj ka patur vetëm një vit. Tezja i mori borxh paratë dhe ia bleu. “I mora erë, dhe vinin erë të mirë, jo si të vjetrit”, tregon Anxhela.
“Ishte viti i parë që shkova në shkollë me gëzim. Vitet e shkollës nuk kanë qenë të lehtë për mua. Unë nuk kisha shoqe. Ndihesha ndryshe nga ato, spese unë nuk kisha të njëjtat gjëra që kishin ato”, – vazhdon Anxhela. Të vetmet mikesha ishin motrat.
Gjërat filluan të marrin një tjetër rrjedhë për të kur ajo ishte 13 vjeçe. Për herë të parë në klasën e saj shkuan punonjës të organizatës World Vision dhe u folën për mbrojtjen e fëmijëve, për rëndësinë e edukimit dhe gjithëpërfshirjen. Anxhela filloi të merrte pjesë në aktivitetet që organizoheshin, filimisht si e ftuar më pas si organizatore. Një vit më vonë, për herë të parë, ajo mori pjesë në kampet verore e cila ishte një përvojë e paharruar. “Unë fillova të kem besim tek vetja, besim se vleja, se njerëzit më donin ashtu siç isha dhe se mund të arrija shumë në jetë. Fillova të kem miq, nuk më pëlqente më të rrija vetëm. Thoja atë që mendoja dhe kështu bëj edhe sot”, – thotë e reja nga Korça. Me kalimin e viteve ajo nuk ishte më fëmijë dhe u bë pjesë e grupit të të rinjve, IMPACT Club, pjesë e të cilëve është edhe sot. Bashkë me ta kanë ndërmarrë nisma të ndryshme. Ajo nuk e harron ditën kur mblodhën ushiqme, veshje, libra dhe lodra për 5 familje të varfra në fshat.
Sot, ajo nuk ëndërron më për një shtëpi pa lagështirë, për libra të rinj, apo për miq. Sot, ajo i ka fituar të gjitha këto. Sot, flet për një tjetër ëndërr. “Dua të bëhem psikolge, të dëgjoj, këshilloj dhe ndihmoj të tjerët. Dua të bëj atë që dikur bënë të tjerët për mua”, – thotë Anxhela.
Falë mbështetjes së atyre që i kanë qëndruar pranë dhe vendosjes së saj, ajo është shpërngulur në kryeqytet dhe ka filluar vitin e parë në degën Psikologji pranë Univeristetit Europian të Tiranës. Ajo ështe një nga 10 përfitueset e bursës Pashko që akordohet çdo vit nga universiteti. Me ndihmën e punonjësve të World Vision, ajo u vu në dijeni për këtë mundësi, aplikoi dhe fitoi. “Sot, edhe ne gëzojmë bashkë me Anxhelën për arritjen e saj, sepse e dimë që kjo mundësi edukimi do të shtrojë një të ardhme të sigurt për të”, – thotë Saimir Bakalli, koordinator i të rinjve pranë World Vision.
Anxhela, ende e ka të vështirë të besojë që, kjo mrekulli siç e quan ajo, i ndodhi asaj. “Kjo është mundësia e jetës sime dhe dua ta shfrytëzoj në maksimum. Dua të kthehem në Korçë si psikologe dhe të punoj në shkollën ku kam mësuar edhe vetë. Dua të ndihmoj të gjithë ata që kanë një jetë të vështirë dhe që nuk kanë besim në vetvete. Me mbështetje edhe ata mund t’ia dalin”, – përfundon ajo.