Periferitë e vendit nuk i ofrojnë shumë mundësi fëmijëve dhe të rinjve për të mësuar, argëtuar apo për tu angazhuar. Për shumë prej tyre, shkolla është i vetmi vend jashtë shtëpisë ku takojnë njerëz të rinj apo mësojnë gjëra të reja*. Ashtu është edhe për Leonardin, 13 –vjeçarin që jeton në Durrës.
Ai zgjohet herët e fle vonë. I duhet të kujdeset për vëllain dhe motrën e vogël. Por kjo nuk e mërzit. Përgjegjësitë i pëlqejnë. Që prej 2 vitesh ai është zgjedhur nga vetë ata kryetar i qeverisë së nxënësve në shkollën “Qemal Mici”. E kujton në detaje atë ditë. Ndonëse e donte shumë atë fitore, ai inkurajoi edhe shumë shokë të kandidonin.
“Shokët dhe shoqet e mia në klasë dhe në shkollë kanë shumë talente. Ata janë shumë të zgjuar, por nuk përfshihen. Nuk e di pse. Ndoshta nuk kanë besim tek vetja dhe frikësohen” – tregon Leonardi. Ndërsa atë nuk e ka stepur kurrë frika e dështimit. Ai ka guxuar gjithmonë. Ashtu bëri edhe para një viti kur i kërkoi mamit të vinte në shkollë dhe të tregonte çfarë dinte për rregullat e qarkullimit rrugor para prindërve të tjerë, nxënësve dhe mësuesve. E ëma sapo kishte përfunduar kursin e patentës. Ndonëse ditë e shtunë, klasa u mbush plot.
Ai dhe të gjithë në shkollë po punojnë fort që shkolla e tyre të mos jetë një qendër komunitare vetëm në letra. “Dikur prindërit vinin deri te pragu i derës. I linin fëmijët aty dhe pasi ata futeshin në shkollë iknin. Tani, ata vijnë dhe na dëgjojnë në orë të hapura. Punojnë me ne për shkollën tonë sepse të gjithë e kemi përzemër. E dini që një ditë babi i shokut tim erdhi dhe rregulloi të gjitha dirtat dhe prizat që ishin prishur?!” – thotë Leonardi.
Nisma e tyre fundit synon t’i kthejë sërish shkollës këndin sportiv i cili është katandisur vetëm në 2 kosha volejbolli. Ai bashkë me shokët pasi panë çfarë u mungonte më shumë, iu përveshën punës dhe shkruan një projekt propozim. “Punuam shumë ditë pas shkolle dhe në fundjavë. Më pas ia paraqitëm drejtorit dhe ai na e miratoi” – tregon Leonardi. Me mbështetjen e World Vision, ata do të zhvillojnë muajin sportiv në shkollë me lojra futbolli, volejbolli, basketbolli, tenisi dhe gara biçikletash. Gjatë zhvillimit të tyre do të ftojnë prindërit dhe anëtarët e komintetit që të japin kontributin e tyre për ta përmirësuar këndin sportiv.
“Të gjithë thonë se e duam vendin tonë, por kur dal në rrugë nuk më duket kështu. Këtu ku jetoj unë, në Durrës, ka shumë pasuri natyrore, por ne nuk i ruajmë siç duhet. Njerëzit i “fluturojnë” plehrat ngado. Njerëzit shikojnë vetëm përfitimin e tyre. E pastaj thonë që janë patriotë. Unë mendoj që nëse e do diçka duhet ta mbrosh e të kujdesesh për të”- tregon Leonardi.
Ai po bën sa mundet. Po kujdeset për motrën dhe vëllain e vogël, për mësimet, shokët dhe shkollën.
*Në studimin e fundit të bërë nga World Vision, në vitin 2015, rreth 55 % e të rinjve thanë se mungesa e vendeve, qendrave dhe hapësirave është një nga gjërat që i shqetëson më shumë.