“Unë quhem Kleina. Jam në klasën e 9-të, në shkollën 9 vjeçare “Hajdaran”, në Elbasan. Unë bashkë me disa shokë te klasës kemi realizuar projektin “Unë lexoj”. Ne dhe prindërit tanë ishim të parët që dhuruam libra. Nismës sonë iu bashkua edhe një pjesë e komunitetit të cilët kanë kontribuar në pasurimin e bibliotekës së shkollës. Edhe disa biznesmenë të vegjël, këtu në zonë na mbështeten me ndihmë financiare.
Anisa, gjithashtu nxënëse e së njëjtës shkollë tregon: -“Unë jam presidente e qeverisë së nxënësve dhe jam shumë aktive në çdo aktivitet në shkollën time. Ne kemi ndërmarrë shumë nisma por më i veçanti ishte ai për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një kalçetoje në shkollën tonë. Vendosëm të shpërndanim postera në komunitet dhe i bëmë thirrje të gjithëve të na mbështesnin. Të gjihtë ishin të gatshëm, madje edhe prindër të cilët nuk i kishin fëmijët në shkollë, por i kishin pasur më parë ose do t’i kishin në të ardhmen. Ne sot kemi paratë që na duhen për ndërtimin e sajdhe së shpejti do të jetë gati. Unë jam në klasën e 9-të dhe ndoshta ndërtimi i kalçetos do të përfundojë pasi unë të iki nga shkolla, por unë jam shumë e lumtur që po kam bërë diçka për shkollën time dhe nxënësit e viteve të ardhshme.
Në konferencën e sotme dëgjova edhe nga shkollat e tjera se çfarë kanë bërë ata për shkollën e tyre. Mu duk shumë interesante ideja e një klubi në gjuhë të huaj, ku nxënësit, mësuesit dhe prindërit mblidhen dhe flasin për kulturën e një vendi tjetër dhe mësojnë gjuhën e tij. Do të më pëlqente shumë të kishim një klub të gjuhës angleze në shkollën tonë”.
Kleina dhe Anisa, ishin sot mes shumë nxënësve, mësuesve, dhe specialistëve të arsimit për të diskutuar rreth sfidave në angazhimin aktiv të komunitetit për të kontribuar në implementimin e modelit të Shkollës si Qendër Komunitare. Aktiviteti i organizuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale Elbasan me mbështetjen e World Vision, iu dha gjithashtu mundësi të pranishmëve të shkëmbenin përvojat pozitive rreth arritjeve gjatë zbatimit të këtij modeli.
I pranishëm në takim, drejtuesi i zyrës së World Vision në Elbasan, zoti Ilir Gjoni tha: – “Ne e kemi në fokusin e programit tonë të edukimit angazhimin komunitar dhe gjithëpërfshirjen e çdo fëmije në shkollë. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në punën e drejtëpërdrejtë me shkollat, me DAR, me partnerë të tjerë dhe veçanërisht Bashkinë Elbasan për të hapur shkollën për komunitetin, ku ky i fundit ka kontributin kryesor”.