Nëse do na kërkonit një recetë për një sipërmarrje të suksesshme nuk e dimë, ajo që dimë dhe që puna me fermerët na ka treguar ndër vite është kjo: 2 pika guxim, 3 lugë njohuri, 4 filxhanë vullnet dhe një tas plot me përkushtim janë receta e duhur për çdo sipërmarrje të suksesshme.
5 fermerë na rrëfejnë rrugëtimin e tyre duke përfaqësuar zërin e 400 të tjerëve me të cilët organizata po mundohet të instalojë një mendësi të re për një bujqësi të qëndrueshme.
Një galeri suksesesh, kështu do i quanim Spartakun, Albanën, Shkëlqimin, Marion, Nikelin, Afrimin…të gjithë fermerë të suksesshëm, të gjithë të apasionuar pas tokës, të gjithë duke qarë të njëjtat halle e problem në bujqësi, por të gjithë luftëtarë ama.
Çfarë mund të bëjë bashkë një djalë 26 vjeç me një mesoburrë 45 vjeç, një gjysh 53 vjeçar dhe një zonjë 37 vjeçe? Toka dhe bujaria e saj.
E nisim ditën, një të Martë të nxehtë Korriku me Shkëlqim. E gjejmë vetëm në shtëpi duke ndezur pompën e ujit në pusin që sapo ka shpuar më ndihmën e World Vision Albania.
“Sikur të mos ishtë për ato 18 m të bekuara linear tubo, i gjithë prodhimi do më kishtë shkuar dëm se nuk kam me çfarë t’i vadit pemët që kam në bahçe”.
Bashkë me suksesin, Shkqëlqimi, gjyshi i një mbese 4 vjeçare na tregon gjithë rropatjen e jetës së vet në bujqësi. Ai bashkë me bashkëshorten janë marrë gjithë jetën ekzkluzivisht me bujqësi dhe janë në gjendje të rrëfejnë dhe për bujqësinë në kohën e monizmit dhe për bujqësinë tani në demokraci.
“Gjërat janë shumë të vështira, – thotë Shkëlqimi, ky burrë i thinjur e i lodhur nga puna në fushë, – më parë kishim hidrovoret që na ndihmonin për vaditje. Tani ato u shkatërruan”.
Edhe politikat e shtetit nuk është se kanë sjellë ndonjë benefit të madh gjatë këtyre viteve tranzicion në Shqipëri. Ato pak pika grumbullimi që u pilotuan, nuk funksionojnë. Tregjet mungojnë ose janë të pa organizuar dhe prodhimi mbetet stok.
Janë të përvitshme pamjet e fermerëve që prodhimet i shesin nën kosto, buzë rrugëve nacionale, duke vënë në rrezik jetën e tyre ose të prodhimeve që hidhen në kanale si pasojë e mungesës së organizimit të tregjeve. Një vit qepa, vitin tjetër patatja dhe dy vitet e fundit molla e mbetur stok dhe e hedhur në kanal. Ndërkohë që rajoni I Korçës, si një nga prodhuesit bujqësorë më të mëdhenj në vend për disa kultura, vazhdon vuan dhe pasojat e pandemisë.
Ndërkohë sipas të dhënave nga INSTAT1, rajoni i Korçës është një nga rajonet me prodhimtarinë më të lartë në rang vendi. Nga raporti zyrtar i 2020-ës, Korça renditet e para për prodhimin e patates me 59,315 tonë, e para për nivelin e prodhimit të druve frutorë me 82.007 tonë dhe e treta në rang kombëtar për prodhimin e drithrave me 78.810 tonë. Në Grupin e pemëve frutore me farë zë 44,41 % të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve me 84,03 %. Qarku i Korçës zë 83,14 % të prodhimit të mollëve gjithsej në vend.
E gjitha kjo përkthehet në punë të ikur dëm, në djersë të hedhur kot, në fermerë të zhgënjyer dhe të lodhur nga vështirësitë.
Të nëjtat gjëra pohojnë pothuajse të gjithë fermerët që takojmë. Edhe Spartaku që ka ndërtuar një serë në oborrin e shtëpisë së vet, edhe Nikeli, edhe Afrimi që duhet të stërmundohet të vadisë fasulen pas gjithë thatësirës, edhe Albana që ndryshe nga të tjerët po merret me rritjen e zogave.
Po çfarë i bën të gjithë këta të vazhdojnë akoma? Çfarë i bën të luftojnë dhe si Sizifi të marrin çdo ditë gurin e tyre, ta ngjitin lart në majën e malit duke e ditur që ose nga mungesa e rreshjeve ose nga mungesa e tregjeve, guri do ju rrokulliset poshtë dhe mundi mund t’iu shkojë dëm? Çfarë e bën luftën e tyre legjitime? Ku bazohet motivi i tyre? Cila është shpresa që i mban më këmbë?
Të gjithë këta emërues të përbashkët të përpjekjeve të tyre kanë dashurinë për tokën, pasionin për vendin e tyre, dëshirën për të ecur përpara këtu në Shqipëri.
“Të dy djemtë i kisha njërin në Francë, tjetrin në Gjermani, – thotë Albana, – zonja nga Pojani që pasionin e saj e ka kultivuar te shumimi i shpendëve. Tani janë kthyer që të dy këtu dhe më mbështesin mua në këtë sipërmarrje.”
Albana e nisi si gjithë të tjerët, me idenë e shftytëzimit për kultivim të atyre pak dynymëve që kishte. Por për shkak të gjithë vështirësive dhe tokës së papërshtatshme Albana po mendohej te dorëzohej. Ishte takimi me World Vision dhe grupet e fermerëve që i nxitën idenë e rritjes së shpendëve.
“Qëkur filuam të vinim në takimet e organizatës, filluam të flasim për vështirësitë, filluam të shkëmbenim ide, të mësonim nga njëri- tjetri dhe fillova të mendoja seriozisht për inisiativën e rritjes së shpendëve”.
Albana e nisi me 60 zogj pule dhe tani ka 700, Igli e nisi me 100 fidanë domate, tani ka 1500, Spartaku e nisi nga zeroja dhe tani ka dy sera në oborr. Të gjithë janë sprovuar në sfida nga më të ndryshmet, por nuk kanë hequr dorë asnjëherë.
“Është falë jush, –thotë Spartaku, – dhe atyre që kam mësuar në trajnime dhe në takime që ia dola. Ndryshe do isha dorëzuar që në vështirësitë e para.”
E ndërsa sfidat para tyre vazhdojnë të jenë të mëdha, ëndrrat i superojnë ato. Albana ëndërron të krijojë inkubatorin e saj të madh për shumë më shumë zogj e pula, Spartaku dëshiron të fitojë dy-sishin e viteve të kaluara, pra më shumë se 5 milion lekë të vjetra, Nikeli ëndërron të shtojë sipërfaqen e tokave të mbjella.
“Na pret shumë punë para, duhet të mëndojmë për ushqimin e zogave, për mjekimet, për vaksina. Nëse më parë mezi e krijuam një inkubator artizanal për t’i mbajtur ngrohtë zogjtë në dimër, tani duhet të mendojmë për inkubatorë të vërtetë që sigurojnë energji 24 orë pa ndërprerje’’, – rrëfen Albana, ndërsa sytë i mban larg dhe shikimin tretur tek e ardhmja premutese dhe sfiduese.
World Vision Albania, vetëm gjatë vitit të fundit ka mbështetur 400 fermerë të zonës së Korçës me 7 cikle trajnimesh, 8250 kg plehëra kimike, 36 m linear tub dhe parashikon të vazhdojë mbështetjen me plehra kimikë, aksesorë bujqësorë dhe asistencë për ambalazhimin e produkteve dhe për 299 fermerë të tjerë që janë pjesë e projektit.