Historia e një të reje vullnetare

Emrin ma kanë vënë Marjena. Në ditë ndërkombëtare humanitare dua t’ju njoh pak me angazhimin tim si vullnetare në një organizatë ndërkombëtare humanitare si World Vision. Isha një 18-vjeçare e sapo shpërngulur në Tiranë prej studimeve, e panjohur me qytetin, me kulturën dhe me gjithë ritmin kaotik të këtij metropoli.

World Vision Albania e pashë si një mundësi shumë të mirë integrimi. Që në intervistën e parë më bëri përshtypje mikpritja e stafit dhe pozitiviteti që përcillej. Arrita të kaloja të gjitha fazat dhe u bëra pjesë e grupit të vullnetarëve. Angazhimi nisi menjeherë dhe unë u ndjeva e përfshirë në një vorbull të madhe ngrohtësie dhe krenarie për atë ç’ka ne si të rinj po arrinim çdo ditë e më shumë, veçanërisht me programin “Tungjatjeta…jetë”. Jam inspiruar çdo ditë nga prindër që sillnin vazhdimisht kontribut për fëmijët në nevojë; jam rrënqethur nga fëmijë të cilët lodrat, librat apo qindarkat e kursyera zgjidhnin t’ia jepnin moshatarëve të tyre në pamundësi të shumta.

Ishte kënaqësi e madhe të zgjoheshe çdo ditë me qëllimin për të qenë një ndër ata persona që do të ndihmonin për të ndryshuar jetën e një fëmije…jetë të pafajshme që kishin nevojë për terapi, kujdes… Përfshirja në këtë program më ka mësuar shumë…më ka mësuar çfarë është humanizmi, më ka mësuar çfarë është empatia, çfarë është fisnikëria që ndjen pasi ndihmon dikë në nevojë, dhe çfarë do të thotë përlotje pasi t’i shikon sytë e fëmijëve të cilët të shikojnë me adhurim qoftë edhe pas një përqafimi apo pas një ndihme sado të vogël. Vullnetarizëm do të thotë fillimisht të zhvillosh veten dhe më pas këdo në nevojë. Këtë rëndësi do të doja ta kuptojnë sa më shumë fëmijë, prindër dhe adoleshentë. Nuk është e lehtë, por nëse ndjeni se duhet të bëni diçka për të ndihmuar, mos hezitoni.

Janë të shumtë ata që kanë nevojë për ty në shumë fusha të jetës, kudo nëpër botë.

Me dashuri,
Marjena