Hapet në Lezhë Qendra e Orientimit dhe Këshillimit të Karrierës

Një hap i ri drejt fuqizimit të të rinjve dhe punësimi të denjë në Lezhë.

Qytetarët e Lezhës kanë tashmë në dispozicion një Qendër të Orientimit dhe Këshillimit të Karrierës, një hapësirë moderne dhe tërësisht e digjitalizuar, që do t’u shërbejë të rinjve dhe personave të papunë, duke ofruar orientim, këshillim dhe mbështetje konkrete për punësim.

Kjo qendër është vënë në funksion nga World Vision Albania në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Qendra është integruar në ambientet e shkollës së Mesme Profesionale “Kolin Gjoka”, ndërsa në ceremoni në e inaugurimit ishin të pranishëm, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Klevis Hysa, Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Brikena Vuksani, Drejtori Ekzekutiv i World Vision Albania, Eljona Elmazi, përfaqësuesja e Sekretariatit Teknik të Përbashkët të programit Mali i Zi – Shqipëri, Nersada Mandija, Drejtori i Shkollës, Bardh Dedgjonaj, mësues, të rinj, dhe përfaqësues të institucioneve lokale.

Gjatë aktivitetit, të pranishmit zhvilluan një bashkëbisedim me gra të papuna nga Lezha, të cilat po mbështeten nga projekti për t’u integruar në tregun e punës përmes trajnimeve në sektorin e mikpritjes dhe zhvillimit të aftësive të punësimit.

Qendra e Orientimit dhe Këshillimit të Karrierës është mundësuar nga projekti “Nxitja e punësimit të denjë për të rinjtë dhe personat e papunë në zonën ndërkufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë”, të financuar nga Bashkimi Evropian përmes përmes IPA – Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2014 -2020 dhe zbatuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit në Mal të Zi.

Nga Alfons Çupaj

PR and Communications – World Vision Albania