122 të rinj përfaqësues të grupeve rinore IMPACT Club u bënë pjesë e takimeve konsultuese me Zv, Ministren për Rininë pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Bora Muzhaqi, ku diksutuan problematikat e tyre dhe mënyra se si mund të zgjidhen duke u bërë pjesë e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022- 2029 që do të fillojë të përgatitet së shpejti.
“Më ka lënë shumë mbresa puna dhe energjia juaj. Duke i folur hapur me Borën problemet që ju shqetësojnë, por dhe me ne si World Vision na dëshmuat edhe njëherë se ju jeni një hallkë kyçe që duhet të përfshihet në proceset vendimmarrëse që ndikojnë të tashmen dhe të ardhmen tuaj. Ne si organizatë marrim çdo vit kohë për t’u konsultuar me ju si përfaqësues të brezit të ri, në mënyrë që të kuptojmë se çfarë ju motivon, për çfarë keni nevojë më së shumti, por edhe se si mund ta përshtasim programin tonë të Rinisë që t’i përgjigjet sa më shumë nevojave tuaja. Ne do të vijojmë të mbështesim punën dhe idetë tuaja që ju të keni sa më shumë aftësi dhe mundësi për të kontribuar në familje, komunitet dhe zhvillimin e vendit tonë, ’’ – u shpreh Ariola Kallçiu, Drejtoreshë e Programit dhe Ndërtimit të Partneriteteve. Problematikat shqetësuese që të rinjtë ndanë për komunitetet e tyre ishin si; mungesa e hapësirave argëtuese dhe qendrave multifuksionale për rininë ku mund të zhvillojnë talentet dhe aftësite e tyre, përmirësimi i infrastrukturës shkollore, ndërtimi dhe shfrytezimi i palestrave, oborreve shkollore për aktivitete të ndryshme pas shkolle, mos kryerja në mënyrë të rregullt e lëndës së orientimit për karrierën dhe mangësitë në informacion që kanë në lidhje me cilat janë aftësitë dhe profesionet e të ardhmes. Mes këtyre dhe një sërë problematikash të tjera sociale, të rinjtë diskutuan dhe sollën përspektivat dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen duke theksuar se cilat janë sfidat dhe problematikat që duhen zgjidhur në mënyrë që ata ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.
“Sot shumë të rinj kërkojnë të largohen nga vendi për shumë arsye por unë mendoj se ja vlen të qëndrosh në vendin tënd dhe të kontribosh për zhvillimin e tij. Unë nuk do të zgjidhja të largohesha ”. – shprehet Ester, pjesë e klubit IMPACT.
Takimet me të rinjtë u organizuan nga World Vision Albania në bashkëpunim me Minstrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në kuadër të konsultimeve paraprake për fillimin e proçesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare te Rinisë 2022-2029. Këta të rinj dhe të tjerë në muajt në vijim do të vijojnë të përfshihen në proçesin e konsultimit dhe finalizimit të strategjisë së parë kombëtare për Rininë në Shqipëri si pjesë e proçesit që do të drejtohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.